Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një alarm udhëtimi global, për shkak të një kërcënimi të paspecifikuar nga al-Qaeda.
Përmes një deklarate, DASH njofton se potenciali për një sulm është veçanërisht i fortë në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Njoftimi erdhi vetëm pak kohë, pasi SHBA-të njoftuan mbylljen e gati 21 ambasadave apo konsullatave gjatë së dielës.
Alarmi do të mbetet në fuqi deri më 31 gusht 2013, sipas DASH, i cili i rekomandon shtetasve amerikan të jenë vigjilent gjatë udhëtimeve përtej kufijve.
“Informacionet aktuale thonë se al-Qaeda dhe organizatat aleate vazhdojnë të planifikojnë sulme terroriste në rajon dhe përtej tij, si dhe se përpjekjet e tyre për të sulmuar janë më të forta gjatë periudhës nga momenti aktual e deri në fund të muajit gusht”, lexohej në të.
Alarmi paralajmëron “potencialin për sulme terroriste në sistemet e transportit publik dhe infrastruktura të tjera turistike”.
Ndërkohë, edhe Zyra e Jashtme britanike ka konfirmuar se ambasada britanike në Jemen do të mbyllet për 2 ditë, të dielën e të hënën, si “masë paraprake sigurie”.
Presidenti amerikan, Barack Obama, ka urdhëruar që të ndërmerren “të gjitha hapat e nevojshme” për të mbrojtur amerikanët, në kundërpërgjigje të kërcënimeve mbi një sulm të al-Qaeda-s, citohet të ketë thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nga agjencia e lajmeve AFP. “Presidenti po njoftohet vazhdimisht me të rejat e fundit mbi një kërcënim potencial, që pritet të ndodhë në gadishullin arabik, ose që do të burojë nga ai”.
Misionet diplomatike amerikane, që do të mbyllen gjatë së dielës janë:
Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe
Algjer, në Algjeri
Amman, në Jordani
Baghdad, në Irak
Kajro, në Egjipt
Dhahran, në Arabinë Saudite
Djibouti, në Xhibut
Dhaka, në Bangladesh
Doha, në Katar
Dubai, në Emiratet e Bashkuara Arabe
Erbil, në Irak
Jeddah, në Arabinë Saudite
Kabul, në Afganistan
Khartoum, në Sudan
Kuwait City, në Kuvajt
Manama, në Bahrejn
Muscat, në Oman
Nouakchott, në Mauritani
Riyadh, në Arabinë Saudite
Sanaa, në Jemen
Tripoli, në Libi
Top Channel