Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se qeveria e vendit vazhdon ta shkelë rezolutën e Kuvendit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

KDI ka publikuar raportin gjashtëmujor të monitorimit të punës së Kuvendit për periudhën janar-qershor 2013, i cili tregon se tema që po mbizotëron në punën e Kuvendit është çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas këtij raporti, deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, është shpallur si deputeti më aktiv në Kuvend, ndërsa deputetja serbe, Rada Trajkoviç më pasivja.

Por, sa i përket komisioneve, raporti nxjerr në pah se komisioni për buxhet dhe financa në këtë sesion pranveror ka qenë më aktivi, ndërsa ai për mbikëqyrjen e AKI-së më pasivi.

Ndërkohë, një problem tjetër sa i përket programit të punës së Kuvendit është edhe ajo se nga 98 projektligje të parapara për miratim gjatë vitit 2013, më shumë se gjysma e tyre janë për ndryshim-plotësim.

“Edhe më tutje tema e cila po e mban nën dirigjim punën e Kuvendit të Kosovës është çështja e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Kjo temë ka derivuar debate të gjata dhe të ashpra, shmangie të shpeshta të Rregullores, fjalor joparlamentar, tensione deri në përdorim të dhunës fizike brenda dhe jashtë Kuvendit, duke lënë nën hije mandatin dhe instrumentet e tjera kushtetuese që ka ky institucion përfaqësues”, ka deklaruar Driton Selimaj nga KDI.

Përbërja aktuale e Kuvendit, sipas KDI-së është më joprofesionalja në historinë e parlamentarizmit në vend. Është përbërja që më së paku do të duhej të ishte shembull se si bëhet parlamentarizmi në Kosovë, pasi që në këtë mandat legjislativ nuk ka asgjë pozitive.

Raporti vë në pah se gjatë kësaj periudhe kohore janë mbajtur 36 seanca plenare, prej tyre 22 të rregullta, 2 të jashtëzakonshme dhe 11 të karakterit solemn. Ndërsa tetë prej tyre kanë qenë të karakterit përkujtimor, që ka qenë një veçori e re e Kuvendit të Kosovës.

Ndikim në performancën negative të Kuvendit, sipas tij, ka dhënë edhe mos efikasiteti i dy komisioneve të përkohshme parlamentare, ai për reformë kushtetuese dhe reformë zgjedhore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA