
Avokati i Popullit u ka kërkuar krerëve të njësive vendore që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve.
Reagimi i këtij institucioni ka mbërritur pas disa ankesave të marra nga qytetarë të ndryshëm për mungesën e uji të pijshëm në këto ditë të nxehta të vere.
Në letrën dërguar 50 bashkive në vend institucioni i Avokatit të Popullit thotë se qytetarët jo vetëm po përballen me mungesën e ujit të pijshëm, por edhe me faktin se uji që ata mundohen të sigurojnë nëpërmjet gropave septike apo depozitave rezulton tejet i ndotur dhe i dëmshëm për shëndetin.
“Problemi që ju prezantojmë bëhet edhe me i ndjeshëm veçanërisht në stinën e verës ku krahas temperaturave tepër të larta në të cilat përballemi, mungesa e ujit të pijshëm apo i ndotur në shumë raste, është rrezik për shfaqjen e epidemive dhe dëmtimin e shëndetit të konsumatorëve”, thotë Avokati i Popullit.
Ky institucion e cilëson keqmenaxhimin e këtij shërbimi, si një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të shtetasve dhe mungesë e standardeve minimale të një vendi që ka në qendër të vet të drejtat e njeriut, mirëqenien e qytetarëve dhe aspiron të hyjë sa më shpejt në Bashkimin Europian.
Top Channel