Zgjaten hetimet për Frrokun

02/08/2013 00:00

Në pritje të ekstradimit nga drejtesia greke, të biznesmenit Arben Frroku, si person nën hetim për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, avokatët e tij në Shqiperi i kërkuan gjyqësorit të refuzoje vendimin e prokurorisë për zgjatjen e hetimeve edhe dy muaj te tjere.

Madje, sipas mbrojtësit të tij, Tonin Prendi, gjykata duhet të urdhërojë pushimin e hetimeve, një kërkesë kjo që nuk u çmua si e bazuar në prova sipas gjyqtarit Sander Simoni.

“Afati i hetimit nuk ka kaluar si dhe njoftimi i vendimit të zgjatjes është bërë në kohë. Në këto kushte, mbështetur në nenin 324 të Kodit të Procedurës Penale, duke arsyetuar se krimi është kompleks e duke u ndodhur përpara pamundësi objektive për të pyetur dy personat nën hetim, Arben Frroku e Jak Jaku, i kërkojmë Gjykatës rrëzimin e kërkesës së pushimit të çështjes”, deklaroi Ardian Nezha, prokuror i krimeve të rënda.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vepruar në përputhje me parimet e dispozitave proceduriale. Në këtë argumentim, Gjykata argumenton se vendimi i datës 24 korrik i Prokurorisë është i drejtë dhe i bazuar dhe si i tillë duhet lënë në fuqi”, vlerësoi gjykatësi, Sandër Simoni.

Për Prokurorinë, zgjatja edhe për dy muaj të tjerë e afatit hetimor për personat nën hetim, Arben Frroku dhe Jak Jaku behët për shkaqe objektive, duke qene se të dy keta shtetas ndodhen ne Greqi dhe ende organi i hetimit nuk ka realizuar pyetjen e tyre.

Po kështu, në listen e veprimeve hetimore te Prokurorise jane edhe një sërë lëvizjesh të tjera verifikuese, te cilat nuk behen publike per shkak te sekretit hetimor.

Përveç interesit te medias, seancën e ndoqi edhe vëllai i Arben Frrokut, Mark Frroku, tashmë deputet i zgjedhur në 23 qershor.

Top Channel