Makinisti i trenit spanjoll që doli nga shinat gjatë korrikut, në një incident që i kushtoi jetën 79 personave, shpërfilli tre alarme për të ulur shpejtësinë, përpara se të ndodhte fatkeqësia.
Ky ishte përfundimi i publikuar nga hetuesit e kësaj çështje, ditën e premte.
Në një deklaratë të publikuar nga gjykata ku është dorëzuar çështja, renditet kronologjia e ngjarjes, në të cilën rezulton se makinisti ishte duke folur në telefon me një koleg, në momentin kur i mbërriti sinjali i parë që tregonte se përpara shtrihej një zonë me shpejtësi të kufizuar.
Sinjali, siç del qartë edhe nga kutitë e zeza të instaluara në lokomitivë, ishte zanor dhe lehtësisht i dëgjueshëm.
Pasi shpërfilli këtë sinjal, drejtuesi injoroi një sinjal të dytë dhe edhe një të tretë, vetëm 250 metra përpara kthesës në të cilën treni doli nga shinat teksa ishte me shpejtësi prej 179 kilometrash në orë, kur kthesa duhet të merrej me 80 km/h.
Katër sekonda pas sinjalit të fundit, makinisti shtypi frenat e emergjencës, por ishte shumë vonë për të shmangur tragjedinë, e ndodhur në afërsi të qytetit të Kompostelës, në Spanjën Perëndimore.
Makinisti Francisco Jose Garzon Amo, i mbijetuar, në hetuesi ka pranuar se treni ishte përtej normave të lejuara të shpejtësisë në momentin e aksidentit, por nuk ka qenë në gjendje të shpjegojë arsyen përse ndodhi diçka e tillë.
Top Channel