Shtetet e Bashkuara kanë dënuar vendimin e Rusisë për t’i dhënë azil të arratisurit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, duke e quajtur si “jashtëzakonisht zhgënjyes”.
Shtëpia e Bardhë po rikonsideron takimin e planifikuar për muajin e ardhshëm mes presidentit Barack Obama dhe homologut të tij rus Vladimir Putin. SHBA kërkon ekstradimin e Snoëden për t’u gjykuar, pasi akuzohet për nxjerrje të sekreteve shtetërore.
Snowden, i cili la zonën tranzit të një aeroporti në Moskë, për herë të parë që prej qershorit, falënderoi Rusinë për vendimin e saj. Obama pritet të takohet me Putin, në prag të samitit të G20 në fillim të shtatorit në St Petersburg.
Gjithsesi, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha: “Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer, që qeveria ruse do të marrë këtë hap, pavarësisht kërkesës sonë publike e private, shumë të qartë dhe të bazuar mbi ligj, për të ekstraduar Snowden-in në SHBA, në mënyrë që ai të përballet me akuzat ndaj tij. Jemi duke vlerësuar dobinë e samitit, pas këtij vendimi dhe çështjeve të tjera”.
Senatori demokrat, Chuck Schumer, një aleat i Obama-s, tha se vendimi i Rusisë ishte “një hap mbrapa” dhe i kërkoi presidentit të rekomandojë zhvillimin e samitit të G20 jashtë Rusisë. Ish-kandidati republikan për president, John McCain, tha se pas këtij vendimi duhet të ketë “pasoja shumë serioze”.
Rusia ka sfumuar vazhdimisht rëndësinë e kësaj çështjeje dhe ka këmbëngulur se marrëdhëniet me SHBA-të duhet të mbeten të pandryshuara.
Top Channel