Përmirësohet klima SHBA-Pakistan

02/08/2013 00:00

Shtetet e Bashkuara të Amerikës premtuan dhënien fund shumë shpejt të operacioneve luftarake me avionë të telekomanduar (drone) në territorin e Pakistanit.

Ky ishte zotimi i bërë nga Sekretari i Shtetit John Kerry në përfundim të vizitës së tij zyrtare në Islamabad. Kryediplomati amerikan u takua me udhëheqës të lartë në vend. Ai tha se deklaratat e tij synojnë të ulin frymën anti-amerikane që ekziston në aleatin strategjik të SHBA, sic është Pakistani.

Sulmet me avionë të telekomanduar që ushtria amerikane ndërmerr kryesisht në zonat tribale të Pakistanit në kufi me Afganistanin, kanë qenë një ndër pikat e nxehta të diplomacisë mes dy vendeve.

Gjuha u ashpërsua mes dy vendeve sidomos pas operacionit të forcave speciale amerikane në Abotabad që përfundoi me vrasjen e Bin Ladenit. Pakistani kritikoi ndërhyrjen pa dijeninë e tij duke e cilësuar si “shkelje të rëndë të sovranitetit”.

Gjithashtu, gjatë takimeve të së premtes u ra dakort rinisja e bisedimeve të nivelit të lartë për cështjet e sigurisë. Islamabadi u tërhoq nga këto bisedime në vitin 2011 pas vrasjes së 24 ushtarëve të tij nga një sulm me avionë të telekomanduar amerikanë në kufirin me Afganistanin.

Top Channel