Pas ligjit për Amnistinë, edhe me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2013 do të merret Gjykata Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje ka dorezuar pranë Kushtetuteses lëndën ku kontestohet kushtetutshmëria e ligjit që ditë më parë u miratua nga Kuvendi i Kosovës.

Pika e vënë në pikëpyetje është përfshirja në këtë ligj në një nen të veçantë Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit për Veriun e Kosovës pas marrëveshjejes për doganat që ishte arritur me Serbinë në Bruksel.

Në këtë nen parashikohet që të ardhurat që mblidhen prej mallrave të importuar nga bizneset e regjistruara në katër komunat në veri të Kosovës janë të destinuara për konsum në këto komuna. Në momentin e hyrjes në Kosovë nga dy pikat kufitare në veri, duhet të dërgohen në Fondin e Kosovës duke u identifikuar dhe regjistruar veçanërisht në sistemin e integruar të menaxhimit të financave dhe të ndahen për Fondin Zhvillimor të Mirëbesimit që do të krijohet nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian në Kosovë në një Bankë Komerciale.

Pas kësaj nisme të Lëvizjes Vetëvendosje ka folur zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri. Ajo ka thënë për Top Channel se Fondi Zhvillimor është pjesë e angazhimit të qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin e serbëve të pjesës veriore dhe ka të bëjë me angazhimin e përmirësimit të jetës sociale-ekonomike.

Po ashtu, Tahiri ka thënë nëpërmjet telefonit se Fondi Zhvillimor është në përputhje me Ligjin për Financat Publike.

“Dëshiroj të theksoj se Fondi Zhvillimor është në përputhje me ligjin për Financat Publike lidhur me komunat. Nga Buxheti i Kosovës të gjitha komunat dhe ato në veri janë financuar mirëpo për shkaqe të njohura politike komunat në veri herë pas here nuk i kanë shfrytëzuar këto financime qeveritare. Po ashtu, porosia ime është se duhet parë edhe praktikat e shteteve të tjera të cilat janë ballafaqur me situata të ngjashme dhe të cilat kanë aplikuar fond zhvillimor për të rikthyer besimin e rrënuar dhe të njëjtën po e bëjmë edhe ne si Qeveri e Kosovës. Fakti se Parlamenti i Kosovës e ka votuar ndryshimin e ligjit për Buxhetin tregon se Parlamenti po japë kontribut për vizionin e integrimit të asaj pjese të serbëve të vendit”, tha zv.kryeministrja Tahiri.
 
Sidoqoftë, ky është ligji i dytë që dërgohet në Gjykatën Kushtetuese pasi ditë më parë u dërgua Ligji për Amnistinë, që ka dalë si detyrim nga marrëveshja e arritur me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Top Channel