Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka deklaruar se ushtria egjiptiane ka dashur të “rikthejë demokracinë”, kur rrëzoi nga pushteti presidentin e zgjedhur Mohammed Morsi, muajin e kaluar.
Kerry tha se largimi i tij ishte si pasojë e kërkesës së “miliona e miliona njerëzve”. Deklaratat e tij vijnë teksa policia përgatitet të shpërndajë 2 protesta pro-Morsi në kryeqytetin Kajro.
Ministri i Brendshëm i Egjiptit i premtoi mbështetësve të Morsi-t “dalje të sigurt”, nëse ata largohen me shpejtësi nga kampet. Kabineti qeveritar i vendit urdhëroi të mërkurën policinë t’i japë fund protestave, duke i konsideruar ato “një kërcënim për sigurinë kombëtare”.
Washington-i ka refuzuar ta përshkruajë rrëzimin e Morsi-t si një “grusht shteti”. Nëse do ta bënte diçka të tillë, qeveria amerikane nuk do të mund të jepte më ndihmën prej 1,5 miliardë dollarësh, të përvitshme, ndaj Egjiptit.
Në një intervistë televizive në Pakistan, Kerry u shpreh: “Ushtrisë i ishte kërkuar të ndërhynte nga miliona e miliona njerëz, të gjithë të frikësuar se vendi po i drejtohej kaosit dhe dhunës. Ndaj dhe ushtria nuk është se ka marrë pushtetin, sipas gjykimit tonë, deri tani. Për të drejtuar vendin, është caktuar një qeveri civile. Faktikisht, ata janë duke rikthyer demokracinë”.
Kerry paralajmëroi gjithashtu kundër gjakderdhjes së mëtejshme, sipas agjencisë së lajmeve AFP.
Top Channel