“Drejtësi kryeneçe, e papërgjegjshme”

02/08/2013 04:00

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, ka dalë në një video mesazh, tepër i irrituar, pas vendimit me burg ndaj tij për evazion fiskal, që u konfirmua edhe nga gjykata më e lartë e vendit.

Berlusconi tha se ishte viktimë e pafajshme e “një serie akuzash të pabesueshme dhe gjyqesh, që nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin”. Gjykata urdhëroi gjithashtu një rishikim të mëtejshëm gjyqësor, në lidhje me faktin nëse ai duhet të ndalohet nga mbajtja e posteve publike.

Berlusconi, 76 vjeç, nuk pritet të shkojë në burg, për shkak të moshës së tij. Ai mund të mbetet në arrest shtëpiak, ose të kryejë shërbime komunitare. Vendimi nga Gjykata e Kasacionit të Romës, që nuk mund të apelohet, erdhi pas seancave dëgjimore 3-ditore, gjatë së cilave Berlusconi ka munguar në gjykatë.

Në një video emocionale 9-minutëshe, Berlusconi ka denoncuar vendimin si “të bazuar mbi asgjë dhe që më privon mua nga të drejtat e lirisë dhe politikës”.

Askush nuk mund ta kuptojë dhunën e vërtet, që është rezervuar për mua përmes një serie akuzash dhe gjyqesh, që nuk kanë baza në realitet”, tha ai. Ai i përshkroi më shumë se 50 çështje gjyqësore, me të cilat ai është përballur, si një “ngacmim të mirëfilltë gjyqësor, të paprecedent në botën e civilizuar”.

“Në këmbim të angazhimeve të ndërmarra përgjatë 20 viteve në favor të vendit tim dhe në prag të fundit të jetës time publike, unë jam shpërblyer me akuza dhe një vendim, që është bazuar absolutisht mbi asgjë, i cili më privon lirinë personale dhe të drejtat politike”.

Ai kritikoi rekordin gjyqësor të vendit, duke thënë: “A është kjo Italia, që ne kemi dashur? A është kjo Italia, që kemi adhuruar? Absolutisht jo”. Ky është dënimi i parë definitiv i biznesmenit miliarder, pas hetimeve kriminale prej disa dekadash.

Çështja ngre shqetësimet mbi marrëveshjet e firmës së tij Mediaset, që ka bërë për të blerë të drejtat televizive për filmat amerikanë. Ish-kryeministri u dënua me 4 vjet burgim, në fund të gjyqit të tetorit të kaluar, kështu që është reduktuar automatikisht në 1 vit, pas amnistisë së vitit 2006.

Top Channel