Berlusconi: Gati të lëmë qeverinë

02/08/2013 20:30

“Një vendim i bazuar në asgjë. Ndaj meje vetëm baltë”. Vazhdon me reagimet ndaj vendimit të gjykatës ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi.

Pak orë më parë prokurorët e Milanos firmosën ekzekutimin e vendimit për procesin “Mediaset”, duke hequr dënimin me burg por duke konfirmuar arrestin shtëpiak ose shërbimin ndaj komunitetit.

Por kavalieri ka nisur lëvizjet e tij dhe gjatë pasdites është takuar me deputetët e partisë së tij Populli i Lirisë, PDL, me të cilët ka parashtruar hipotezën e daljes nga koalicioni qeverisës.

“Duhet të kërkojmë sa më shpejt zgjedhje për të fituar. Të gjejmë rrugën më të mirë për të arritur këtë objektiv”, ka deklaruar Berlusconi.

Ish-kryeministri është pritur me ovacione kur ka hyrë në dhomën e mbledhjes me deputetët e tij, të cilët e kanë duartrokitur për disa minuta.

“Nuk është një vendim gjykate. Është vetëm një teoremë që nuk qëndron në këmbë, e sajuar vetëm për të më nxjerrë nga skena politike”, ka thënë Berlusconi.

Më pas ka qenë radha e ultimatumit: “Duhet të rezistojmë dhe nuk mund t’i largohemi detyrës sonë për një reformë të mirëfilltë të drejtësisë, për të cilën jemi gati të shkojmë në zgjedhje”.

Përsa i përket së ardhmes së tij në politikë, ai ka thënë: “Vendosni ju dhe kur të vendosni harrojeni praninë time. Mendoni për interesat e zgjedhësve tanë dhe për të mirën e Italisë”.

Dhe këtu kavalierit nuk i ka munguar mbështetja. Krahu i tij i djathtë, Angelino Alfano, aktualisht ministër i Brendshëm ka thënë:

“Nëse bëhet fjalë për të mbrojtur idealet tona dhe historinë tonë, që përputhet me tuajën, kryetar, ne jemi gati të japim dorëheqjen nga të gjitha postet ministrore”.

Top Channel