Wikileaks dëmtoi raportet SHBA-Afganistan

01/08/2013 00:00

Publikimet e Wikileaks deformuan marrëdhëniet SHBA-Afganistan, deklaroi një ish-oficer i ushtrisë amerikane gjatë seancës gjyqësore që çoi në dënimin e ushtarit Bradley Manning.

Gjenerali Robert Carr deklaroi se dokumentet e rreshterit Manning nxorrën emrat e qindra qytetarëve afganë, miq të trupave amerikane, duke vënë jetët e tyre në rrezik.

Ish-oficeri, një ekspert i inteligjencës që drejtoi një task forcë të Pentagonit që hetoi dëmet e kabllogrameve, dëshmoi se mbrojtja e popullsisë afgane ishte prioritet i ushtrisë amerikane.

“Ne duhet të afroheshim me popullsinë vendase, duhet të kuptonim mentalitetin e tyre dhe duhet t’i mbronim. Nëse armiku ynë do të kishte dijeni se cilët banorë të një fshati bashkëpunonin me trupat amerikane, atëherë jetët e tyre do të ishin në rrezik”, theksoi ai.

Ushtari Bradley Manning rrezikon të përballet me 136 vjet burg pas dënimit të tij për spiunazh dhe 19 akuza të tjera. Ai kishte pranuar se i kishte kaluar qindra mijëra dokumente Wikileaks.

Në seancën ku u vendos dënimi, në një gjykatë ushtarake në bazën Fort Meade, në Merilend, akuza tregoi dëmet e mëdha të shkaktuara nga rrjedhja e informacioneve në vitin 2010.

Çështja që është dhe thelbi i dënimit është nëse Manning duhet trajtuar si një burim informacioni, apo si një tradhtar, deklaron korrespondenti i BBC për çështjet e sigurisë, Gordon Corera.

Top Channel