Irani godet anijen luftarake të SHBA-së, koordinonte sulmet ndaj anijeve tregtare të Teheranit Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka dalë përpara ligjvënësve spanjollë në lidhje me skandalin e korrupsionit që kërcënon qeverinë e tij.
Zoti Rajoy ka folur në lidhje me pagesat ilegale nga një fond të drejtuar nga financieri i dikurshëm i Partisë Popullore, Luis Barcenas, që po përballet me akuzën e shmangies së taksave.
Në fjalimin e tij, ai ka deklaruar se kishte qenë i detyruar t’u përgjigjej deklaratave që sipas tij nuk ishin të besueshme, por që kishin filluar të dëmtonin imazhin e Spanjës.
“Kam dalë këtu për t’u bërë rezistencë gënjeshtrave, manipulimeve dhe sajesave të inkurajuara nga liderë të caktuar politikë”, ka deklaruar Rajoy.
Ai ka theksuar se gjendja e ekonomisë së Spanjës është delikate dhe se vazhdimi i fokusimit tek skandali po dëmtonte imazhin e vendit.
Megjithatë, kryeministri ka pranuar se kishte bërë gabim duke i besuar dikujt që nuk e meritonte besimin, duke iu referuar zotit Barcenas.
Si Rajoy ashtu edhe anëtarët e tjerë të Partisë Popullore i mohojnë akuzat se kanë marrë pagesa ilegale. Sido që të jetë, zërat në fjalë shkaktuan irritim tek qytetarët spanjollë, të cilët më herët gjatë muajit mbajtën protesta anti-qeveritare dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit.
Mesin e muajit të kaluar përleshjet shpërthyen mes protestuesve dhe policisë, pasi mbi 1 mijë persona u mblodhën jashtë selisë së Partisë Popullore, duke kërkuar largimin e qeverisë.
Skandali i korrupsionit u zbulua në janar kur gazeta “El Pais” publikoi dokumente që përmbanin një listë me pagesa ilegale brenda Partisë Popullore.
Top Channel