24 orë nga bërja publike e emrave të ministrave, kryeministri i zgjedhur Edi Rama zhvilloi në selinë e PS takimin e parë konsultativ me disa prej tyre.
Takimi ka zgjatur për më shumë se një orë dhe mësohet se Rama u ka lënë një sërë detyrash ministrave të rinj.
Burime nga PS deklaruan se kryeministri i ardhshëm u ka kërkuar ministrave nisjen menjëherë nga puna për ndërtimin e kabineteve respektive, përfshirë bërjen kujdes në krijimin e strukturave për çdo ministri.
Një ditë më parë Edi Rama tha se: “Ne duam që qysh në ditën e parë të fillojmë të qeverisim, jo të njihemi me punën që kemi përpara”.
Kryeministri i ri i vendit u shpreh se: “Është e udhës që të gjithë ministrat të marrin detyrat paraprake dhe të njihen me përmbajtjen e punës së tyre, të mendojnë dhe pastaj të punojnë bashkarisht për ato ndarje që i duhen bërë dikastereve ekzistuese”.
Në funksion të kësaj ka shërbyer edhe takmi i së enjtes, për të cilin ministrat e rinj socialistë nuk kanë bërë asnjë koment për gazetarët. Në këtë takim Rama priti vetëm ministrat socialistë dhe jo ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Burime nga PS bëjnë me dije se deri në betimin e qeverisë së re takime të tilla konsultative do të jenë të shpeshta me të gjithë anëtarët e kabinetit. Qeveria e ardhshme do të ketë një zv/kryeministër, 16 ministri dhe 3 ministra shteti pa portofol.
Kabineti i ri:
Kryeministër Edi Rama
Zëvendëskryeministër, Niko Peleshi
Ministër i Financave, Shkëlqim Cani
Ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri
Ministre e Mbrojtjes, Mimi Kodheli
Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati
Ministre e Integrimit Europian, Klajda Gjosha
Ministër i Drejtësisë, Nasip Naço
Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj
Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri
Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto
Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni
Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti
Ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqja
Ministre e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla
Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj
Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro
Ministër i Mjedisit, Lefter Koka
Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito
Ministër për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi
Top Channel