Artur Lazebeu – Nga ekrani tek gazeta
Ishin dy lajme që tronditën të dielën që sapo kaloi – një breshëri në plazh në të dalë të Vlorës dhe një thikë tek nëntëkatëshet në qendër të Tiranës. Se mos vetëm dy, se mos vetëm të dielën! Pa kaluar e marta, një thikë tjetër goditi brenda familjes po në Vlorë.
Çështjet janë në hetim, por tre të vrarë në Vlorë dhe një i plagosur rëndë në Tiranë, janë viktima, që përveç familjarëve, vështirë se do rizgjojnë dhimbje a kujtim të hidhur tek shumica tjetër, ku bëjmë pjesë unë, ti dhe tjetri. Edhe të afërm dhe familjarë të agresorëve janë të shqetësuar, ndonëse pas gjëmës zakonisht fillojnë të kërkojnë ndonjë fije që nuk merret vesh, nëse i lidh me ndjesën dhe pendesën apo me faljen dhe hedhjen e lumit pa lagur! Në gjuhën e informimit zyrtar, nuk është e vështirë të mësosh dinamikën e ngjarjeve. Përtej kësaj, hetimi zbulon gjithmonë një dinamikë më të pasur me fakte dhe lidhje shkakësore, por që në tërësinë e vet, të pandryshueshme mbeten vetëm pasojat. Gjykata mandej do të vlerësojë masat e arrestit, gravitetin e pasojave, rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe të vetë personit, për të dhënë në fund një verdikt me burgim dhe, në rastin më të mirë, edhe ndonjë masë dëmshpërblimi financiar. Nuk e kuptoj përse zakonisht këtë të fundit e lënë si “objekt vullneti të mirë” apo transaksion ekstraligjor mes palëve ndërgjyqëse. Me kaq drejtësia e mbyll, paçka se ata dhe shumë si ata nuk rikthehen në jetë, sikurse i plagosuri si shumë të plagosur do të vazhdojë mjekimin me jo pak dhimbje e shpenzime, shkak-pasojë e një thike ngulur kuturu në qafë, mushkëri, këmbë… Në media lexuam për pista të mundshme, diku “sherr i çastit”, diku “sherr i mëparshëm” etj., etj, njoftime këto që të lënë një shije cinizmi, përzier me indiferencë. Pyetja që mund të shtrojë secili është: “Po të kisha qenë unë aty? Po të ishte fëmija im?”
Në një plazh të Vlorës
Tek masakra e Vlorës, në të vërtetë, do të doja të shihja në mos një gjest “heroik”, një solidaritet, kushtëzuar nga vetë rrethanat që krijon ajo hapësirë e kufizuar e përbashkët, që e quajnë plazh. Eva 16-vjeçare rezulton e vetmja që i është gjendur pranë njërit prej viktimave, ndërkohë që gjindja bubërronte ku të fshihte kokën. “E po, me plumbin nuk bëhet shaka!”. “- Pse, ajo adoleshentja, shaka bëri?” Sot dhe nesër pranë saj mund të ketë kureshtarë, nga ata që kanë qenë pikërisht edhe vetë dëshmitarë dhe viktima të mundshme të asaj që ndodhi. Sot dhe nesër ata dhe ne do vazhdojmë të shullëhemi në diell, duke turfulluar kundër kujt të na vijë për mbarë. Jemi në të drejtën tonë edhe të shullëhemi, edhe të pushojmë qetësisht, por që edhe një çmim të indiferencës sonë qytetare, nuk kemi përse të mos e njohim. Ne nuk ngremë kokën as kundër muzikës në kupë të qiellit, ne nuk ngremë veshët as kundër plumbit në mes të diellit. Së paku ta njohim si përgjegjësi, pa sa për të paguar as që bëhet fjalë, sa kohë që plumbi zë atë tjetrin, por që nesër mund të mos jetë “tjetri”! Ajo adoleshente 16-vjeçare u tregua jo thjesht më e “dhembshur” se hallku i hallakatur në ruajtje të kokës. Ajo dëshmoi se është më “ndryshe” se ata, të zakonshmit. Ne jemi të gatshëm të bëjmë “qytetare nderi” një këngëtare përmes famës, por jo të nxisim aktivizmin qytetar përmes gjestit heroik të një anonimeje. Mes plumbave që mund të kishin këputur atë vetë, ajo iu afrua viktimës që dha shpirt në duart e saj. Bëri ndokush përpjekje për t’i ndalur dorën vrasësit? Në frikë e sipër, vetë vrasësi raportohet t’ia ketë shkrepur në ajër, vetëm e vetëm të mos ndihej i kërcënuar as edhe nga sytë e dëshmitarëve. Së paku për disa ditë, të gjithë ata le ta shohin atë vajzë si “heroinë” të së dielës! Mund ta nderojnë ose të ulin kokën në shenjë përulësie para asaj, që njëlloj do të kish ndihmuar secilin pushues, përfshirë edhe “pronarin” e atij plazhi përvëlues, jo vetëm nga vapa…
Në qendër të Tiranës
Viktima e dytë potenciale, që mbijetoi pas një “breshërie” thikash është Jurfioni 24-vjeçar nga Tirana. Dinamika e ngjarjes së tij është e ndryshme. Agresori i sulet dhe ia ngul thikën në pjesën anësore të qafës, ku mrekullisht nuk prek aortën, pas së cilës sot do të ishte folur ose heshtur ndryshe. Disa media citojnë “burime policore” të kenë pohuar se “autori është kontingjent, i ndaluar dhe arrestuar edhe më parë për grabitje, gjithashtu i evidentuar edhe si përdorues dhe shpërndarës lëndësh narkotike”. Edhe në qoftë kështu, ligjërisht askush nuk mund të paragjykohet, aq më pak të fajësohet për shkak të personalitetit. Por, në qoftë kështu, strukturat e policisë nuk mund të mjaftohen vetëm me faktin se “ndaluan autorin”. Kontingjenti mbahet nën kontroll, nuk lihet të livadhisë derisa t’ia ngulë thikën edhe ndokujt brenda familjes. Gjykata e Strasburgut ka dënuar shtete, vetëm e vetëm se kanë dështuar në mbrojtjen e jetës së një njeriu, kur ky ka denoncuar, por kjo është histori tjetër që lidhet më shumë dhe rëndom me ndonjë amicus curiae, eventualisht në raste të gjakmarrjes. Për t’i qëndruar rastit konkret, pistat kanë rëndësi për hetimin dhe gjykimin penal dhe nuk hyjnë fare në defter për vlerësimin, gjykimin dhe reagimin qytetar. Opinioni publik është padyshim në anën e viktimave. Dhuna gjithmonë është e verbër, por ajo e çastit është diçka emergjente që nuk pret sa të vijë policia apo ambulanca. Për njeriun me zemër, reagimi qytetar nuk nënkupton vetëm protesta intelektuale, por edhe veprim imediat. Sidomos kur në lojë është jeta dhe prona e tjetrit, sepse kur janë tonat, “dimë vetë” si reagojmë. Ndaj dhunës rrugaçërore mund të veprohet edhe me “dhunë” qytetare, sidomos kur në rrezik është shëndeti, jeta dhe prona. Edhe kjo është një formë kundër dhunës, madje e parashikuar me ligj. Policimi në komunitet nënkupton jo vetëm denoncimin, por edhe reagimin qytetar. Shpresojmë pa kushte tek shteti ligjor, por edhe pa receta tek ndonjë “hero” anonim, qoftë dhe vetmitar, të cilit t’i jemi mirënjohës dhe ngjasojmë si qytetar! Si ty që s’të njoh!
Top Channel