Kerry viziton Pakistanin, bisedime me Sharif

01/08/2013 03:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka shkuar në Pakistan për bisedime me qeverinë e sapozgjedhur të kryeministrit Nawaz Sharif. Vizita e tij nuk ishte publikuar më herët, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Bisedimet do të fokusohen tek ekonomia dhe masat anti-terrorizëm. Kerry pritet të bëjë përpjekje për të ulur tensionet në lidhje me sulmet amerikane me dronë ndaj militantëve të dyshuar.

Sulmet e CIA-s kanë vrarë rreth 3460 persona në Pakistan, nga 2004 deri në 2013. Rajoni kufitar i trazuar i Waziristanit Verior konsiderohet si një bazë e al-Qaeda-s dhe talebanëve, ndaj dhe dronet e amerikanëve kanë shënjestruar rregullisht këtë zonë.

Por, Sharif, i cili fitoi zgjedhjet e muajit maj, ka kërkuar t’i jepet fund sulmeve të tilla, duke thënë se ato shkelin sovranitetin e vendit të tij.

Më herët, gjatë këtij viti, Obama i quajti sulmet me drone si pjesë e fushatës legjitime kundër terrorizmit, por kërkoi gjithashtu për më tepër transparence të programit dhe rregullave të shënjestrimit të objektivave.

Sekretari i Shtetit pritet të takohet me Sharif dhe me presidentin në largim Ali Asif Zardari, në kryeqytetin Islamabad, gjatë së enjtes. Ky është udhëtimi i parë i Kerry-t në Pakistan, që kur është emëruar në këtë post që mban aktualisht, edhe pse e ka vizituar vendin me rolet e ndryshme që ka pasur më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA