Itali, gjyqi ndaj Berlusconit

01/08/2013 16:20

Pritet ethshëm vendimi i gjykatës së Kasacionit mbi çështjen “Mediaset”, një rast që po mban pezull politikën italiane e që ka terhequr vëmendjen ndërkombëtare.

Pasi Gjykata e Apelit më 8 maj të këtij viti konfirmoi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e Silvio Berlusconit me katër vjet heqje lirie e ndalimin për pesë vjet të mbulimit te posteve publike nga ana e tij, vendimi që pritet sot ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e politikës italiane, veçanërisht nëse dënimi konfirmohet.

Në këtë rast, tre nga të katër vitet e dënimit do t’i faleshin në baze të uljes së dënimeve të dekretuar në 2006-en. Vitin e mbetur ai do ta kalonte në arrest shtëpie sepse do të mund të përfitonte nga mosha mbi shtatëdhjetëvjeçare.

Por, kjo është hipoteza më e keqe. Ish-kryeministri, i akuzuar për një shkelje fiskale prej 7,3 milionë eurosh të kryer duke manipuluar çmimet e filmave të blerë nga “Mediaset” mund edhe të dënohet edhe vetëm me ndalimin për pesë vjet të mbulimit te posteve publike, e kjo hipotezë do të trondiste ekuilibrat delikate të qeverisë.

Në këtë rast, ai nuk do të mund të ishte më deputet dhe forca politike e drejtuar prej tij dhe forcat e tjera që e mbështesin, mund të krijonin një termet të vërtetë politik, me dorëheqjen masive të deputeteve te tyre.

Gjë që do të evitohej nëse Kasacioni do ta anullonte dënimin. E ndërsa pritja vazhdon, njerëzit më pranë “Cavalierit” thonë se ai është i qetë dhe ka besim në një zgjidhje pozitive të çështjes.

Top Channel