Protesta dhe festa në botë pas sulmeve ndaj Iranit, 23 të vrarë në Pakistan, përplasje pranë konsullatës amerikane
Mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar egjiptian, Mohammed Morsi, kanë sfiduar paralajmërimin e ri të qeverisë me mbështetje ushtarake dhe kanë vazhduar grumbullimet e tyre në Kajro.
Liderët e përkohshëm të vendit kanë urdhëruar policinë që t’i japë fund protestave në dy sheshe të kryeqytetit. Por Vllazëria Myslimane, tek e cila Morsi bën pjesë, deklaron se nuk ka alternativë tjetër veçse të vazhdojë tubimet.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Egjiptit që të respektojë lirinë e manifestimit. Protestuesit pro-Morsit duan që lideri islamik të rikthehet në krye të shtetit, pasi u rrëzua nga ushtria më 3 korrik, vetëm pas një viti në detyrë.
Ata kishin sfiduar edhe kërcënimet e mëparshme të ushtrisë, pavarësisht përleshjeve me forcat e sigurisë që lanë rreth 100 të vdekur.
Ministri i Brendshëm egjiptian deklaron se hapa gradualë do të ndërmerren për të shpërndarë turmat dhe se policia është ngarkuar me detyrën që t’u japë fund demonstratave brenda ligjit dhe kushtetutës.
“Vazhdimi i situatës së tensionuar në dy sheshe dhe rreziqet për terrorizëm dhe bllokadë të rrugëve nuk janë më të pranueshme, pasi cënojnë sigurinë kombëtare”, deklaroi ministri ditën e mërkurë përmes një deklarate për shtyp.
Por Essam el Erian, nënkryetar i Partisë për Drejtësi dhe Liri, fraksioni politik i Vllazërisë Myslimane, deklaroi se protestuesit nuk do të tremben nga këto kërcënime.
Top Channel