Pas ngjarjeve të fundit të largimit të qytetarëve nga Kosova drejt Hungarisë, në përpjekje për ta shfrytëzuar këtë vend si trampolinë drejt Europës perëndimore, dy vendet nënshkruan një marrëveshje që shërben për të kufizuar fenomene të tilla.

Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla kanë vënë firmat e tyre në paktin që ka për qëllim luftimin e krimit.

Me këtë rast ministri Rexhepi ka thënë se marrëveshja e bashkëpunimit policor bëhet me qëllim që të bëhet shkëmbimi i informatave për parandalimin e formave të ndryshme të krimit, në veçanti të krimit të organizuar, terrorizmit, luftimin e trafikimin e drogave, e të qënieve njerëzore.

Ndërkaq, ambasadori hungarez Lorant Balla ka thënë se beson që kjo marrëveshje do t’i shërbejë interesave të ndërsjella dhe se do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit europian.

Në një njoftim të Ministrisë së Brendshme thuhet se marrëveshja të tilla, përveç se në rajon, Kosova ka nënshkruar edhe me shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Të enjten e kaluar u kthye në Prishtinë kontingjenti i parë prej 110 emigrantësh të Kosovës nga Hungaria, ku llogaritet se ndodhen rreth 400 të tjerë në qendra të ndalimit dhe pranimit të azilkërkuesve të Hungarisë. 

Top Channel