Fakti që ende nuk dihet asgjë per fatin e 1740 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovës është konsideruar tepër shqetësues në takimin e radhës të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur.

Sipas komisionit, gjatë këtij viti janë identifikuar 30 persona, 15 prej tyre në gjashtë muajt e fundit, ndërsa 5 të tjerë janë në proces.

“Siç u përmend pak më lartë, mbetjet e 15 personave të zhdukur janë dorëzuar, janë edhe pesë që janë në proces e sipër dhe varet si vendos familja si të proçedojë me rivarrimin”, deklaroi Prenke Gjetaj, kryetar i komisionit.

“Duhet bërë më shumë përveç vizitave dhe fjalëve të mira. Të thuash që në gjashtë muaj janë kthyer vetëm 15 kufoma është shumë pak”, reagoi Bajram Çerkinaj, përfaqësuesi i familjarëve të personave të zhdukur.

Ndërsa kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova ka kërkuar përkushtim më të madh. “Zoti Ban Ki Moon e ka thënë me të drejtë, nuk ka amnisti pa u zbardhur fati i qytetarit të humbur. Ç’amnisti mund të bëhet kur ne s’dimë fatin e të dashurve tanë? Kontributin duhet ta japin të gjithë, EULEX-i, kryeministri dhe OKB-ja”, deklaroi Kumnova.

Ndër të tjera u tha që, me gjithë rezultatet e arritura të Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, ka mbetur ende shumë për t’u bërë.

Top Channel