“Manning”, reagojnë Assange e Amn. Int.

31/07/2013 01:30

Akuzimi zyrtar me mbi 20 shkelje ligjore i 25-vjeçarit Bradley Manning, ish-ushtaraku amerikan që nxorri dokumente te klasifikuara për t’u publikuar nga organizata Wikileaks, ka sjellë edhe reagimet e para të themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, por edhe të Amnesty International.

Ai rrezikon një dënim maksimal prej 136 vitesh burgim, proces i cili do të fillojë ditën e mërkurë. E megjithatë arriti t’i shpëtonte akuzës për “dhënien ndihmë ndaj armikut”, gjë që do ta ndëshkonte atë me dënimin me vdekje.

Julian Assange ka kritikuar verdiktin e Drejtësisë amerikane, që sipas tij “përfaqëson një ekstremizëm të rrezikshëm të sigurisë kombëtare”. Duke folur nga Ambasada e Ekuadorit në Londër, Assange tha se “ky nuk ka qenë kurrë një gjykim i drejtë”.

“Bradley Manning nuk është fajtor për asgjë, aktualisht ai ka bërë një veprim heroik duke kërkuar transparencë nga qeveria dhe përgjegjësi për ekspozimin e popullit amerikan, por edhe pjesës tjetër të botës, ndaj krimeve të kryera nga qeveria amerikane”, u shpreh ai.

Manning nuk reagoi aspak gjatë verdiktit, por avokati mbrojtës i tij, David Coombs, buzëqeshi paksa kur u lexua “pafajësia e tij për ndihmë ndaj armikut”.

“Kemi fituar deri tani betejën, por do të shkojmë të fitojmë luftën”, tha Coombs, pas leximit të vendimit. “Sot është një ditë e bukur, por Bradley nuk i ka shpëtuar aspak zjarrit”.

“Ndjekja e qeverisë për akuzën e ‘ndihmës ndaj armikut’ ishte një tejkalim serioz i ligjit, asgjë më pak, pasi nuk kishte asnjë provë të besueshme mbi qëllimin e Manning për të rrezikuar SHBA-të, duke lëshuar informacione të klasifikuara drejt Wikileaks”, lexohej në deklaratën e Amnesty International.

Megjithatë, liderët demokratë e republikanë të komitetit të inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-ve, thanë se “drejtësia ka shërbyer”, në një deklaratë të përbashkët pas vendimit.

“Manning kërcënoi sigurinë tonë kombëtare, shkeli besimin e publikut dhe tashmë qëndron pas akuzave për krime të shumta serioze”, thanë lideri Mike Rogers, i republikanëve, dhe Dutch Ruppersberger, një nga drejtuesit demokratë.

Top Channel