Kuvendi i Kosovës ka mbyllur sesionin pranveror të punës, duke miratuar një sërë ligjesh të fushave të ndryshme.
Në këtë seancë, para pushimeve të verës, deputetët miratuan 8 ligje, të
cilat kompletuan në tërësi Pakon e Ligjeve për dialogun e liberalizimit
të vizave.

Ligjet, të cilat u miratuan në shqyrtimin përfundimtar para pushimeve, kanë të bëjnë me shtetësinë, azilin, parandalimin dhe luftimin e trafikimit të njerëzve dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, si dhe është plotësuar ligji për financimin e subjekteve politike.

Përveç tyre, në shqyrtim të parë, deputetët i kanë dhënë mbështetje iniciativës së deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, i mbështetur edhe nga 40 deputetë, që për fshatin Zym të rajonit të Hasit të ketë një ligj të veçantë.

Qëllimi është mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë fetare e kulturore të këtij fshati dhe promovimi i saj, ka thënë deputeti Haradinaj, i cili, përveç mbështetjes që mori nga partia e tij, edhe PDK dhe LDK i dhanë votën e tyre.

Me ligj parashikohet themelimi i një Këshilli nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit, i cili do të përbëhet nga 5 anëtarë, dy prej të cilëve do të zgjidhen nga Kuvendi i Komunës dhe 3 të tjerë drejtpërdrejtë nga banorët e fshatit Zym të Hasit.

Por, kundër është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti i saj, Liburn Aliu, ka thënë se ky ligj është i bazuar në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe është kopje e Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe dhe kësisoj nuk do të duhej të merrej model një ligj i tillë, sepse sipas tij është i dëmshëm. Kjo është kundërshtuar nga propozuesi i ligjit, deputeti Haradinaj.

Sidoqoftë, në përmbyllje të sesionit pranveror, kryeparlamentari Krasniqi ka bërë një bilanc të punës së Kuvendit, ku me këtë rast ka bërë dy vërejtje për mungesën e deputetëve në seanca dhe të ministrave gjatë kohës së pyetjeve parlamentare.

Top Channel