Kthehet në detyrë Erzen Breçani

31/07/2013 00:00

Kthehet në detyrë zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani,
i cili u pezullua disa javë më parë, për një koment të bërë në rrjetin
social “Facebook”, ku sulmohej kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama
dhe bëhej thirrje për rrëzimin e tij. Drejtoria e Standardeve
Profesionale në Policinë e Shtetit, menjëherë pas publikimit të statusi
të Breçanit në “Facebook”, nisi hetimet.

Paralel me këtë vendim, kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, kërkoi pezullimin e Breçanit, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Institucioni që u mor me çështjen në fjalë, doli në konkluzionin se postimi në rrjetin social, që etiketonte kreun e PS-së si “Hitler” dhe “Enver Hoxha i dytë”, nuk është bërë nga numri 2 i Policisë së Tiranës, por nga një person tjetër, emri i të cilit nuk bëhet me dije për arsye hetimore. Ndonëse afati një mujor i pezullimit nuk ka përfunduar, drejtuesit e Policisë së Shtetit kanë kërkuar rikthimin e Breçanit në krye të detyrës. Pavarësisht se ka dalë i “pafajshëm”, ndaj Breçanit është lëshuar një masë administrative për pakujdesi. Mësohet se ekspertët e policisë u fokusuan tek IP-ja e kompjuterit ku ishin bërë postimet, i cili rezultoi se ishte kompjuteri i shtëpisë së Erzen Breçanit.

Postimi në “Facebook” shkaktoi reagime të ashpra nga përfaqësues të Partisë Socialiste, duke e cilësuar thirrjen si një vepër penale. Si pasojë e kësaj ata kërkuan edhe nisjen e hetimeve.

Ja se çfarë thuhej në postim: “Përshëndetje liderit historik të shqiptarëve doktor Sali Berishës, e duam ndihmën tënde se jemi mësuar me ty që të na prish, deri sa të largojmë pinjollët e komunistave me në krye Edvin Ramën. Ta largojmë këtë Enver të dytë, ne që dikur studenta të ‘91 shembëm diktaturën Enveriste do gjejmë forcë dhe optimizëm, do të ngrihemi të tërë së bashku me rininë, që të mos e lëmë këtë Hitler të gjunjëzojë shqiptarët”. Komenti ishte në faqen personale të Breçanit.

Menjëherë pas kësaj, ai u pezullua nga puna. Pas njohjes së masës për pezullim, Breçani doli në një konferencë për shtyp, përpara mediave, për të mohuar autorësinë e shkrimit të publikuar në faqen e tij zyrtare “Facebook”. Ai do ta cilësonte antiligjor një gjest të tillë dhe se gjithmonë e ka kryer detyrën e tij në radhët e policisë me profesionalizëm.

Gjithashtu, rrugëtimin 20-vjeçar, në radhët e policisë do ta cilësonte mjaft të vështirë, duke thënë se veprimet e tij janë politizuar qëllimisht, nga individë të veçantë të PS-së. Zv/drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Tiranë, ka pasur jo pak incidente me Partinë Socialiste, ku mund të përmenden përplasjet me deputetin Saimir Tahiri, pas përleshjeve mes policisë dhe banorëve të një pallati në zonën e “Petro Nini Luarasit”, pasi përmbaruesi privat tentoi t’i nxirrte jashtë banesave. Përplasja e dytë ka qenë ditën e zgjedhjeve, mes Fatmir Xhafajt dhe Sadri Abazit, ku këta të fundit, sipas vetë Breçanit, e kanë sulmuar në lidhje me incidentet e shkaktuara gjatë procesit zgjedhor. Ndërkaq, brenda dy muajve ai do të pezullohej për të dytën herë. Më 9 prill, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kërkoi pezullimin paraprak nga detyra të tij, pa dhënë afat kohor. Shkak për këtë u bë një konflikt që Breçani pati me njërin prej operatorëve të televizionit “Top Channel”. Ndërsa në fillim të muajit korrik, një tjetër masë pezullimi do të ndërmerrej ndaj tij, për postimin në “Facebook”, por që në fakt Breçani e kaloi me një masë administrative.

Top Channel