Kampionët e “Act Now”

31/07/2013 00:00

Çmimi i ambasadës amerikane, “Kampionët e Act Now” i shkoi këtë muaj Aleancës Kundër Importit të Plehrave, për aksionin e saj në mbledhjen e 60 mijë firmave qytetare, në mbështetje të referendumit mbi importin e mbetjeve.

Ndonëse në një ditë me lajme të rëndësishme, siç u shpreh ambasadori Alexander Arvizu duke iu referuar publikimit të emrave të qeverisë së re, 11 përfaqësues të kësaj nisme u vlerësuan për organizimin e referendumit të parë që drejtohet nga qytetarë në historinë e Shqipërisë.

“Sot është një ditë e madhe për sa u përket lajmeve. E kam të qartë që nuk do të jemi lajmi i parë në edicionet e lajmeve, por falenderojmë Top Channel që do të pasqyrojë këtë kronikë dhe ju përgëzojmë ju. Kemi ndjekur aktivitetin tuaj që nga fillimi. Dëshirojmë të vlerësojmë këtë grup të shoqërise civile dhe ambientalistëve pasi bëtë që jo vetëm zëri juaj të dëgjohet, por në të njëjtën kohë amplifikuat zërin e 60 mijë qytetarëve, ndoshta dhe më shumë”, deklaroi Arvizu.

Kampionët e ri të “Act Now” u kujdesën të nderonin kujtimin e një prej personaliteteve të kësaj nisme, i cili nuk jeton më, publicistin Ardian Klosi.

Pas një fushate intensive në qytete të ndryshme të vendit, Aleanca Kundër Importit të Plehrave arriti të mblidhte numrin e mjaftueshëm të nënshkrimeve që i hapën rrugë mbajtjes së referendumit për importin e mbetjeve të caktuar për në datën 23 dhjetor. Me gjasë referendumi nuk do të mbahet, pasi qeveria e re ka premtuar ta shfuqizojë ligjin në fjalë.

Top Channel