Gjykata pezullon Endira Bushatin

31/07/2013 00:00

Gjykata civile e Tiranës pranoi kërkesë-padinë e Top Channel, Digitalb dhe Media 6 kundër Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, duke pezulluar zbatimin e akteve administrative të kësaj të fundit, derisa çështja të shqyrtohet në themel në shtator.

Aktet e pezulluara janë vendimi numër 12, datë 2 korrik për çeljen e konkurrimit të dhënies së liçensave private e kombëtare për transmetimin audioviziv numerik sipas proçedurës ‘beauty context’, si dhe të proçedurave të nisura në zbatim të këtij vendimi miratuar me vendimin e AMA numër 10.

“Gjykata mori një vendim të ndërmjetëm, për aktet që lidhen me vijimin e proçedurave për liçencimet. Vendimi i përgjigjet kërkesës që ne kemi bërë dhe gjykimi vazhdon në shtator me kontestimin në themel të këtyre akteve, që nuk e bën të mundur vazhdimin e proçedurave, duke i bërë ato të pazbatueshme”, ka deklaruar avokati Sokol Nako.

Ky vendim i gjyqtarit Artur Gaxhi vjen në vijim të kontestimit publik të TCH ditë më parë mbi procesin e linçençimit të rrjeteve numerike. Por çfarë do të thotë ky verdikt i drejtësisë?

“Ky vendim do të thotë që AMA nga ky moment nuk mund të ndërmarrë asnjë hap për vijimin e proçedurave të “beauty context”, derisa të përfundojë ankesa jonë për shfuqizimin e saj. Këto kanë qenë dy ditë të tejzgjatura, pasi AMA ka shfrytëzuar deri në abuzim hapësirën që i jep ligji për të shkaktuar shtyrjen e vendimit, gjë që është e pazakontë”, ka saktësuar Nako.

Ky vendim i gjykatës konfirmon edhe ligjërisht denoncimet që TCH i ka bërë shkeljeve dhe parregullësive të këtij procesi. TCH ende nuk ka marrë përgjigje për pyetjet e bëra publike e që rëndojnë më shumë këtë proces.

Përse AMA miratoi 4 vendime dhe rregullore pa konsultimin publik, ashtu siç e cilëson neni 48 i ligjit të hyrë në fuqi më 4 Prill? Përse dokumenti i strategjisë u hartua e punua nga MITIK, ndërkohë që ishte detyrë ligjore e AMA-s? Përse nuk u përgatit plani i caktimeve frekuencore, dokument bazë për liçencimin e rrjeteve?

Top Channel