Një gjyqtar i EULEX-it, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji serbit Zharko Veselinoviç, ndërsa Sllobodan Repiç u lirua.

Dy të dyshuarit akuzohen për tentativë vrasje dhe përdorim të paautorizuar të armëve gjatë një incidenti në dhjetor të vitit 2012. Veselinoviç gjithashtu akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Sipas një kominkate të EULEX-it, gjykatësi konsideron se ekziston rreziku i mjaftueshëm se Veselinoviç mund të ndikojë në prova, veçanërisht duke e ditur faktin se gjatë kohës së ndalimit ai ka kontaktuar me palë të treta dhe i ka paralajmëruar për proçedurat penale.

Për më shumë, gjyqtari vlerësoi se ekziston rreziku i arratisjes për shkak të përpjekjes për t’iu shmangur arrestimit të tij më 29 korrik 2013. Kërkesa e prokurorisë për masën e paraburgimit për Repiqin u refuzua si e pabazuar.

Gjyqtari i proçedurës paraprake vlerësoi se në rastin e Repiç nuk është vërtetuar se ekziston baza e mjaftueshme se do të vijë deri te ndikimi në prova dhe përsëritja e veprës penale.

Dy të dyshuarit u arrestuan dy ditë më parë në veri të Kosovës, duke shkaktuar edhe revoltimin e disa serbëve banorë të zonës, që sulmuan makinat e EULEX-it.

Serbët lokalë, të cilët kanë bllokuar rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviç që nga dita e djeshme, tani po paralajmërojnë bllokimin edhe të rrugëve të tjera në këtë pjesë të Kosovës.

Top Channel