Babai i Snowden flet për median ruse

31/07/2013 23:40

Në një intervistë për televizionin rus, babai i ish-nëpunësit të CIA-s, Edward Snowden, tregoi se FBI i kishte kërkuar të udhëtonte në Moskë për t’u takuar me të birin.

Lon Snowden u shpreh i bindur se ndaj të birit nuk do të zhvillohet një gjykim i ndershëm në Shtetet e Bashkuara dhe, nëse do të ishte në vendin e tij, do të qëndronte në Rusi.

Sipas tij, Edward-i ishte “një atdhetar i vërtet”, që e bëri Amerikën një vend edhe më demokratik, duke publikuar detaje sekrete të programeve të survejimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë, NSA.

Intervista u transmetua herët në mëngjes, në kanalin “Rusia 24 News”. Ai foli në anglisht, i përkthyer në gjuhën ruse.

“Edward, shpresoj ta shikosh këtë, – iu drejtua të birit. – Dua të gjesh një vend të sigurt”. Ai falënderoi presidentin rus, Vladimir Putin, dhe qeverinë e tij për kurajon, forcën dhe vendosmërinë për ta mbajtur të birin.

Edward Snowden mbërriti në aeroportin e Sheremetijevos më 23 qershor nga Hong Kongu. Ai kërkoi azil të përkohshëm në Rusi, me shpresën se do të udhëtojë në një prej vendeve të Amerikës Latine, që i kanë ofruar azil.

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder, i dha garanci Moskës se, nëse ekstradon 30-vjeçarin, ai nuk do të dënohej me vdekje, por rusët kundërshtuan dorëzimin e tij.

Siç raporton BBC, administrata Obama nxorri jashtë listës së dokumenteve sekrete disa, që lidheshin me programet e përgjimit të telefonave.

Drejtori i Shërbimeve Sekrete Kombëtare, James Clapper, tha se dosjet u publikuan të mërkurën “për të shtuar transparencën, megjithëse dokumenteve u janë bërë redaktime të shumta”.

Top Channel