Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës në vjeshtë pritet të hapë terminalin e ri i cili do të ketë kapacitet për 3.2 milionë udhtarë brenda një viti.

Punimet parashihet të përfundojnë në fund të shtatorit, ndërkohë që kostoja e investimeve në këtë terminal kap shifrën rreth 130 milionë euro.

“Është një zgjerim i kapaciteteve dhe jam i sigurtë që qeveria është e kënaqur me këtë. Ne po investojmë më shumë se sa është parashikuar. Jam shumë i kënaqur me zmadhimin e aeroportit. Kostoja e investimeve në këtë terminal është rreth 130 milionë euro dhe kapaciteti i aeroportit është 3.2 milionë udhëtarë në vit”, ka deklaruar Haldon Koktur, shef i projektit.

Ndërsa sa i përket konkurrencës nga Aeroporti i Shkupit, përmes të cilit udhëtojnë shumë kosovarë, ai ka thënë se njerëzit nuk duan ta kalojnë një kufi për të shfrytëzuar një aeroport.

“Aeroporti i Shkupit nuk do të jetë edhe aq atraktiv për qytetarët kosovarë, për arsye se së paku duhen dy orë për të udhëtuar atje dhe për të kaluar kufirin. Ne jemi të gatshëm për çfarëdo lloj konkurrence dhe besoj që aeroporti ynë do të ofrojë shërbime shumë më të mira se të gjitha aeroportet tjera të rajonit”, ka sqaruar Koktur.

Koktur nuk e ka bërë të ditur numrin e saktë të punonjësve që pritet të punojnë në këtë terminal të ri, por ka pohuar se numri i tyre nuk do të jetë më i vogël se 700. Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kohë më parë i është dhënë më konçesion ompanisë turko-franceze “Limak Celik-DeLion”.

Top Channel