SHBA, seri shpërthimesh në një impiant

30/07/2013 00:00

Një seri shpërthimesh është verifikuar në një impiant gazi në shtetin amerikan të Floridës, raportojnë mediat ndërkombëtare në edicionet e tyre online.

Sipas burimeve, 24 deri në 26 persona po punonin në impiantin Blue Rhino Propane, në qendër të qytetit Tavares, kur shpërthimet nisën rreth orës 23:00, me orën lokale, duke shkulur çatinë nga vendi.

Shpërthimet vazhduan për rreth një orë dhe shkaktuan zjarre të mëdha, por për fat të mirë jo viktima, edhe pse fillimisht mendohej se ato mund të ishin 15.

Të paktën shtatë persona mbetën të plagosur dhe shumë prej tyre u dërguan në spitalet më të afërta. Ndërsa dy persona të tjerë dolën të paprekur nga incidenti. Personat që jetojnë në një rreze prej 0.8 km nga impianti janë evakuuar.

Gjithësesi, një zëdhënës i zyrës së sherifit deklaroi se ekipet e emergjencës besojnë se zjarri është kufizuar dhe se nuk ka rrezik imediat për banorët.

Shkaqet e shpërthimit të parë, që pasoi me të tjerët nuk janë ende të qarta. Impianti Blue Rinho merr çisterna me propan të përdorur në ambjente shtëpiake për barbeky, i pastron ato, u kontrollon valvulat dhe më pas i mbush sërish.

Rreth 4 mijë deri në 5 mijë çisterna rimbushen çdo natë dhe magazinohen në një nga ambientet e impiantit të përfshirë nga shpërthimet.

Top Channel