Dhjetëra serbë kanë bllokuar gjatë së martës magjistralen Mitrovicë – Zveçan, duke penguar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.

Raportohet se aty vërehen tre kamionë të mbushur me rërë, me të cilët është bllokuar rruga.

Ky reagim i tyre ka pasuar pas arrestimit të së hënës nga EULEX-it, të dy personave, Zharko Veselinoviçit dhe Sllobodan Repiçit, i dyshuar për plagosjen e një punëtori të Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, rruga vazhdon të mbetet e bllokuar, kurse situata e sigurisë paraqitet pa indikacione për ndonjë përshkallëzim.

Pas arrestimit të dy serbëve, një veturë e misionit EULEX, në patrullim të rregullt, ishte ndaluar në Zveçan nga një grup demonstruesisht, dhe kur oficerët e policisë së EULEX-it provuan të bisedojnë me demonstruesit ata janë gjuajtur me gurë, me ç’rast dy oficerë të policisë së EULEX-it janë lënduar dhe një makinë u dëmtua seriozisht. Ky akt i dhunës u dënua fuqishëm nga misioni i BE-së.

Po ashtu, më vonë gjatë orëve të para të së martës, një automjet zyrtar me shenja të dukshme të EULEX-it është sulmuar me gurë dhe koktejl molotovi, në qendër të qytetit në veri të Mitrovicës.

Me këtë rast janë regjistruar dëme materiale në automjetin zyrtar të EULEX-it, ndërsa nuk është raportuar për lendime të shkaktuara ndaj zyrtarëve.

Top Channel