Paqja në Lindjen e Mesme

30/07/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri tha se negociatorët izraelitë dhe palestinezë kanë si qëllim të arrijnë marrëveshjen përfundimtare gjatë këtyre nëntë muajve për t’i dhënë fund konfliktit.

Ai shpjegoi se takimi mes dy palëve do të zhvillohet ose në Izrael ose në Territoret Palestineze dy javet e ardhshme. Këtu, shpjegoi ai, do të nisë procesi i vërtetë i negociatave zyrtare.

Kryediplomati amerikan tha se të gjitha cështjet do të vendosen mbi tryezë. Më themeloret janë; Jeruzalemi. Palestinezët kërkojnë që pjesa lindore të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm. Izraeli kundërshton ndarjen e tij. Së dyti janë kufijtë; Izraeli kërkon të ruajë vendbanimet e mëdha hebraike, palestinezët kërkojnë kufijtë e 1967, por pranon ekzistencën e disa vendbanimeve të cilat do të mbahen në shkëmbim territori.

Së treti refugjatët palestinezë; izraelitët kundërshtojnë të drejtën e palestinezëve për t’u kthyer. Së katerti, siguria; palestinezët kërkojnë atribute tërësore për një shtet normal, Izraeli kërkon t’i zvogëlojë ato.

Deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Xhon Kerri erdhi dy ditë pas bisedimeve mes palëve në Uashington.

Gjatë pesë muajve të fundit Kerri ka zhvilluar gjashtë vizita zyrtare në Lindjen e Mesme për përpjekjet për t’i kthyer palët përballë në të njëjtën tryezë.

Më herët, presidenti amerikan Barak Obama u takua me negociatoren izraelite, Ministren e Drejtësisë, Tzipi Livni dhe shefin palestinez të procesit, Saeb Erakat- në Shtëpinë e Bardhë.

Ish-ambasadori amerikan në Izrael, Martin Induk u caktua si i dërguari special për bisedimet izraelito-palestineze. Ai luajti një rol të rëndësishëm në bisedimet e pasuksesshme në Kemp Dejvid në vitin 2000 në presidencën e Bill Klintonit.

Në fundjavë qeveria izraelite miratoi lirimin e 104 të burgosurve palestinezë, gjë që do kryhet në katër faza gjatë këtyre muajve që do të lidhet edhe me progresin e procesit të paqes.

Qeveria izraelite miratoi edhe projekt/ligjin për zhvillimin e referendumit për cdo marrëveshje paqeje me palestinezët që përfshin lëshime të territoreve.

Top Channel