Kushdo që bën shkeljen e të drejtave të autorit në Kosovë, sipas Kodit Penal të vendit, dënohet me gjobë ose me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet.

Ndërkohë, gjobat parashihen nga 2 mijë deri në 10 mijë euro. Task Forca kundër piraterisë duke filluar nga data 15 gusht do të fillojë të ndjekë shkelësit e të drejtave të autorëve. Task Forca nëpërmjet institucioneve pjesëmarrëse në kuadër të saj, inspektorati i Tregut dhe policisë së Kosovës, do të bëjë sekuestrimin e materialeve pirate dhe mjeteve për prodhimin e tyre pas datës 15 gusht.

Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, tha se shkelja e të drejtës së autorit ka hyrë në mesin e veprave penale dhe se institucionet kanë ndërmarrë hapa  konkrete, të cilët kanë ndryshuar gjendjen në këtë fushë.

“Deri tani dëmet nga pirateria kanë qenë disa milionëshe, por institucionet e Kosovës kanë nisur luftën ndaj piraterisë dhe janë bërë hapa të rëndësishëm përpara”, tha Krasniqi.

Ndërsa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se luftimi i piraterisë ndikon në luftimin e ekonomisë joformale dhe mbrojtjen e konsumatorit: “Pirateria paraqet ende një kërcënim serioz për biznesin dhe kulturën e Kosovës. Në ekonominë e tregut duhet të mbrohen idetë e lira dhe kreativiteti.”

Ndaj personave që dyshohet se me veprimet e tyre kanë bërë shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, do të ndërmerren masa administrative në bazë të Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe Inspektoriatit të Tregut në bazë të Kodit Penal.

Top Channel