Ki Moon: Zbatimi i paktit, jetik

30/07/2013 00:00

Në raportin e tij më të fundit mbi zhvillimet tremujore në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon vlerëson hapat pozitivë të ndërmarrë nga Prishtina dhe Beogradi, “që çuan në marrëveshjet historike dhe në një progres jetik drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Në raportin në fjalë, të cilin e citon RTK nga burime në Nju Jork, Ki Moon përgëzon udhëheqjet politike në Prishtinë dhe Beograd, që sipas tij treguan angazhim serioz dhe të palëkundur gjatë dialogut.

“Zbatimi i marrëveshjeve midis Beogradit dhe Prishtinës në veri të Kosovës mbetet një sfidë kryesore. Në këtë drejtim angazhimi i Beogradit me serbët e Kosovës mbetet i rëndësishëm”, shkruan Ki Moon në dokumentin e tij.

Ai thotë se këto përpjekje duhet të plotësohen me shtrirjen e dorës nga ana Prishtinës, duke i ofruar siguri popullsisë lokale, në mënyrë që të shmangen tensionet dhe të arrihet sukses.

“Por është e rëndësishme që edhe serbët lokalë të Kosovës ta shohin veten si palë e interesuar në këtë proces”, vlerëson më tej sekretari i përgjithshëm i Pallatit të Qelqtë.

“Trashëgimitë e pazgjidhura të konfliktit, përfshirë edhe rastet e pazgjidhura të personave të zhdukur, si dhe sjellja para drejtësisë e të gjithë atyre që janë përgjegjës për krime të luftës dhe vepra të tjera penale, duhet të mbeten prioritete kyçe”, vijon më tej ai.

Raporti do të shqyrtohet në një seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit më 29 gusht, nën kryesimin e Argjentinës, takim ku pritet të marrin pjesë edhe kryeministrat Hashim Thaçi e Ivica Daçiç.

Top Channel