Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt ka hedhur poshtë kritikat se misioni që ai udhëheq është duke u bërë presion dëshmitarëve që të dëshmojnë në procese gjyqësore.

Në një intervistë për emisionin “Unë Pyes” të RTK, ai ka deklaruar se bëhet fjalë për të kundërtën, dëshmitarët përballen me presione për të mos folur.

“Përfundimisht nuk ka presion tek dëshmitarët që të dëshmojnë, por ka presion tek ata që të mos dëshmojnë dhe sigurisht kjo nuk vjen nga EULEX-i”, ka thënë Borchardt gjatë emisionit të transmetuar mbrëmjen e së hënës.

Shefi i misionit evropian u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta ndihmojnë drejtësinë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Puna jonë është që të thyejmë mentalitetin e heshtjes, t’i inkurajojmë njerëzit që kanë dëshmi të na afrohen dhe sa më shumë fajtorë të dënohen”, ka theksuar Borchardt.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të shumë qytetarëve, zyrtari evropian ka hedhur poshtë kritikat se EULEX-i po bën drejtësi selektive duke arrestuar vetëm persona të caktuar.

“Kjo absolutisht nuk është e vërtetë. Ne nuk arrestojmë njerëz në bazë të popullaritetit të tyre. Hetimet nuk fillojnë ndaj dikujt vetëm sepse ai është i famshëm. Hetimet fillojnë sepse ndaj dikujt ka fakte të mjaftueshme për të besuar se mund të ketë një dënim”, ka nënvizuar ai.

Borchardt ka shtuar më tej se deri tani, në lidhje me rastet e krimeve të luftës, misioni i tij ka dënuar 7 serbë dhe 9 shqiptarë. Shefi i EULEX-it i është përgjigjur edhe interesit për rastin e Fatmir Limajt, duke saktësuar se ai nuk po gjykohet për akuzat nga të cilat është shfajësuar në Hagë.

“’Ne Bis in Idem’ do të thotë se nuk mund të ketë një gjykim të dytë për krimet e njëjta. Por Limaj është akuzuar për vepra të tjera, përfshirë për korrupsion, keqpërdorim të detyrës dhe krime të tjera lufte”, ka shtuar Borchardt. 

Top Channel