Meksikë, vritet zv.admirali i anti-drogës

29/07/2013 16:30

Trafikantët meksikanë kanë nisur të godasin shënjestra të rangut të lartë. Viktima e radhës ka qenë zv.admirali Miguel Ramonet Salazar, përgjegjës i anti-drogës në pjesën perëndimore të vendit.

Ai ka humbur jetën në një atentat që vjen vetëm pak ditë nga një tjetër kurth i ngritur ndaj një reparti të ushtrisë meksikane. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës.

Oficeri i lartë i marinës po udhëtonte me një fuoristradë, me shoferin e tij, bashkëshorten dhe tre bashkëpunëtorë. Ata ishin drejtuar për në Morelia dhe kishin hyrë në autostradë, por një e papritur i detyroi të ndërronin rrugë.

Kalimi ishte bllokuar nga një manifestim i rojeve të sigurisë kundër mungesës së rendit, duke detyruar automjetin e oficerit që të devijojë në një rrugë të dytë të ngushtë.

Pikërisht këtu ishte ngritur kurthi. Automjeti u kthye në shënjestrën e breshërive të automatikëve nga të gjitha anët. Nga ekspertiza e kryer rezultoi se vrasësit kishin përdorur edhe armë të rënda, si “Barret” kalibri 50.

Zona u rrethua menjëherë nga patrullat e policisë dhe marinës dhe shumë persona u ndaluan nën dyshimin e përfshirjes në aktin kriminal.

Vrasja e zv.admiralit, gjithmonë nëse konfirmohet pista e trafikantëve, mund të marrë një domethënie speciale. Marina është trupa më efikase në luftën ndaj karteleve të drogës dhe gëzon mbështetje të plotë nga Shtetet e Bashkuara, që e konsiderojnë imune ndaj infiltrimeve kriminale.

Uashingtoni zyrtar furnizon marinën meksikane me teknologji dhe materiale të tjera të sofistikuara dhe jo rastësisht, shumë prej bosëve janë arrestuar ose vrarë nga repartet speciale të Marinës.

Top Channel