Në takimin me homologun e tij grek, Andonis Samaras, gjatë vizitës zyrtare dyditore në Athinë, kryeministri italian Enrico Letta ka sjellë një mesazh kurajoje për opinionin publik të vendit, duke i thënë se ka një Europë që kërkon të ndihmojë Greqinë, në mënyrë që të ndihmojë edhe vetëveten.
Europa këtu lindi dhe këtu do të rilindë, ka thënë Letta, duke theksuar se Italia do të jetë në krah të qeverisë greke në mënyrë që të zbatojë me rigorozitet premtimet ndaj kreditorëve.
Letta ka deklaruar gjithashtu se Greqia ka hyrë në rrugën e daljes nga kriza, por ka kritikuar gjithashtu politikat europiane që janë zbatuar për përballimin e saj, ndërsa vetë ai beson në një rrugë të ndryshme nga masat e ashpra të kursimit.
“Kriza do të kishte qenë ndryshe sot. Ajo do të kishte krijuar më pak katastrofa fiskale, do të kishte më pak humbje të vendeve të punës në Europë në qoftë se qëndrimi euopian në fillim do të kishte qenë ndryshe”, ka deklaruar Letta.
Takimi midis dy udhëheqësve ka filluar me ngushëllimet që kryeministri grek i ka bërë atij italian për aksidentin tragjik në autostradën Napoli-Bari, në të cilin humbën jetën dhjetëra persona.
“Unë do të doja të thosha se dita e sotme është shumë e vështirë për miqtë tanë italianë. Dhe do të doja të shtoja se të gjithë grekët janë përkrah tyre sot në këtë tragjedi që ka ndodhur në Kampania”, është shprehur Samaras.
Më pas vendin kryesor në axhendën e bisedimeve e ka zënë përballimi i krizës ekonomike, presidenca e BE-së që marrin Greqia dhe Italia gjatë vitit 2014, si dhe gazsjellësi TAP.
Samaras ka deklaruar se gazsjellësi përbën një sukses të jashtëzakonshëm për të tre vendet pjesëmarrëse të këtij projekti, pasi kjo vepër, më e madhja e këtij lloji në Europën jugore, i jep vendeve të Mesdheut një rol të rëndësishëm në hartën energjitike.
Pas takimit me homologun italian, Samaras ka bërë me dije për mediat vendase dhe të huaja edhe iniciativën dypalëshe për përballimin e emigracionit ilegal, duke nënvizuar mundësitë e bashkëpunimit midis dy shteteve.
Top Channel