Korçë, të dehurit dhunojnë mjekët

29/07/2013 00:00

Pesë mjekë dhe infermierë të shërbimit të urgjencës në Korçë janë sulmuar nga një grup personash të dehur teksa këta të fundit kishin shkuar për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas të dhënave, 4 personat në gjendje të dehur pas një dasme, rreth orës 4.30 të mëngjesit kishin shkuar te shërbimi i urgjencës dhe pasi hynë atje sulmuan bluzat e bardha duke terrorizuar edhe pacientët.

Mjeku i rojës, Petrika Jordani ka rrëfyer me detaje ngjarjen duke theksuar se sulmi ndaj bluzave të bardha është një fenomen që duhet ndalur dhe që ata shpesh i ka vënë përballë riskut.

“Sot gjatë shërbimit, në orën 04:30, erdhën, hynë këtu, një prej tyre më shau, filloi të godiste infermierët dhe bërtiste ‘dua të vras çdo bluze të bardhë që më del përpara’. Terrorizoi edhe pacientët. Policia erdhi pas çerek”, ka treguar Jordani.

E tronditur nga kjo ngjarje është shprehur dhe një prej familjarëve të pacientëve, e cila ka dëgjuar britmat e dasmorëve të dehur, të cilët kërcënonin mjekët, ndërsa sanitarja është detyruar të vrapojë për t’u fehehur në dhomat e pacientëve.

“Po këta persona kanë ushtruar dhunë verbale ndaj personave të shtruar dhe personelit të shërbimit spitalor, që shpreh indinjatën e tij ndaj kësaj ngjarjeje”, ka denoncuar ndërkohë një punonjës i urgjencës.

Policia arriti në vendin e ngjarjes pas 15 minutash duke marrë edhe denoncimin për rastin.

Top Channel