Gjykata e EULEX-it çon në gjykim ish-ministrin e Transportit Fatmir Limaj. Kryetarja e trupit gjykues nga EULEX konfirmoi shumicën e akuzave të përfshira në aktakuzë dhe vendosi ta proçedojë çështjen në shqyrtim gjyqësor.

Lënda ka të bëjë me sjelljen e supozuar korruptive në MTPT, në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2010. Tashmë, pasi rasti shkon në shqyrtim kryesor në shtator, atëherë dëshmitar mund të jetë edhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilin e ka propozuar vetë Fatmir Limaj.

“Ai duhet të sqarojë se si i erdhi në zyrë transkripti i mesazheve telefonike që janë një nga provat kryesore të prokurorisë”, pati thënë Limaj në seancën e muajit maj.

Gjykata Themelore e Prishtinës shqiptoi aktvendimin lidhur me kundërshtimet ndaj provave dhe kërkesat për rrëzimin e aktakuzës, që ishte paraqitur nga mbrojtja në të ashtuquajturën “lëndë të Ministrisë së Transportit”.

Gjykata gjeti prova të mjaftueshme për dyshim të mirëbazuar se të pandehurit Fatmir Limaj, ish-ministër i MTPT-së, Nexhat Krasniqi, ish-shef i Prokurimit në MTPT dhe Endrit Shala, ish-shefi i Kabinetit dhe këshilltar politik i Fatmir Limajt, formuan një grup të organizuar kriminal i cili kreu veprat e rënda penale të shpërdorimit të pozitës, ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve.

Përveç kësaj, sipas njoftimit të EULEX-it, gjykata gjeti dyshim të mirëbazuar se i pandehuri Florim Zuka, pronar i kompanisë “Tali”, ka kryer veprën penale të ofrimit të ryshfeteve dhe keqpërdorimit të autorizimeve në ekonomi.

Në lidhje me provat e mbledhura nga prokuroria gjatë fazës hetimore, gjykata gjeti disa shkelje proçeduriale dhe përjashtoi prova të ndryshme.

Veçanërisht provat e marra gjatë kontrolleve të kryera në shtëpinë e Fatmir Limajt dhe në dhomat e serverëve në Kuvendin e Kosovës më 28 prill 2010 u gjetën të papranueshme, sepse për mendimin e gjykatës të dy kontrollet ishin të paligjshme, ngase nuk ekzistonin rrethana urgjente që do ta kishin lejuar policinë ta kryente kontrollin pa urdhër me shkrim të gjykatës dhe pa një miratim me shkrim nga gjyqtari kompetent i proçedurës paraprake.

Gjykata hodhi poshtë kundërshtimin e paraqitur nga mbrojtja se mesazhet SMS të përgjuara janë të montuara. Më tej, gjykata konfirmoi akuzën e mosdeklarimit të parave të marra për fushatë, akuzë kundër Fatmir Limajt, sepse ajo gjeti prova të mjaftueshme se i pandehuri nuk i kishte deklaruar paratë që ai i kishte marrë si kontribut për fushatë politike në vitin 2007, bën të ditur misioni i Bashkimit Europian në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA