Breshëria e një arme kallashnikov u ka marrë jetën tre personave, ndërsa ka dyshime se dy të tjerë kanë mbetur të lënduar, në një plazh privat në qytetin e Vlorës, në afërsi të vendit të njohur në këtë zone si Kalaja.

Policia e Vlorës konfirmoi vetëm identitetin e të vrarëve, që janë Diana Ramadan Ademi, 53 vjeçe, Skerdi Agron Bajlozi nga Prrenjasi, 17 vjeç dhe Sokol Asqeri Isufaj, 34 vjeç, nga Roskoveci i Fierit.

I kontaktuar nga Top Channel, drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Çuku, mohoi faktin që në këtë ngjarje të rëndë të ketë edhe të plagosur. Sipas numrit një të Policisë së Vlorës, po punohet për arrestimin e personit të dyshuar.

Një ekspert i kriminalistikës deklaroi se, nga rruga kryesore në një distancë prej më shumë se 50 metra, autori apo autorët kanë shkrepur 7 deri në 10 plumba. Ka dyshime të forta, se objektiv i kësaj ngjarjeje ka qenë 34-vjeçari Sokol Isufaj, pak a shumë i njohur për Policinë e Fierit për një ngjarje tjetër të mëparshme dhe shoqërimit të tij nga blutë e këtij komisariati.

Sipas burimeve, Isufaj ishte duke bërë plazh nën shoqërinë e një personi tjetër. Një burim i sigurt i tha Top Channel se, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy grupeve pushuesish, ku njëra palë duket se ka thirrur persona të tjerë për përforcime, duke shkaktuar kështu edhe këtë ngjarje të rëndë, e cila, në kulmin e sezonit veror, në një nga qendrat më të rëndësishme turistike të vendit, ka shkaktuar tmerr dhe panik te të gjithë pushuesit, që ndodheshin në këtë plazh.

Dy nga viktimat, Skerdi Bajlozi dhe Diana Ademi, janë viktima aksidentalë, tha një burim i Policisë së Vlorës, megjithëse gjithçka pritet të sqarohet akoma më mirë pas marrjes së dëshmive të disa personave të shoqëruar në komisariat.

Nga ana tjetër, mësohet në rrugë zyrtare se policia ka dy pista kryesore për ngjarjen e rëndë. Njëra, krimi ka ndodhur pas një sherri të nisur për shkak të një femre, dhe tjetra, për shkak të konflikteve të mbartuara nga fieraku Isufaj.

Për autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë, nuk ka ende një identikit të tij edhe pse dëshmitarët i kanë treguar policisë se ai është larguar nga skena e krimit me një automjet tip fuoristradë.

Top Channel