Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Volker Halbauer, ka bërë të qartë se KFOR-i është mision neutral ndaj statusit të Kosovës dhe më i paanshëm.
Sipas tij KFOR nuk është “as në anën e Beogradit, as të Prishtinës”, duke theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të urdhërojë largimin e dhunshëm të barrikadës në urën mbi lumin Ibër, në veri të Mitrovicës.
“Paraardhësi im, në pozitën e komandantit të KFOR-it, ka pasur momente të vështira, duke shkuar në heqjen e barrikadave serbe. Sipas mendimit tim, barrikada mbi urë, në të vërtetë është simbol politik, ajo paraqet frikën dhe dëshirat e atij populli atje. Unë e kuptoj këtë dhe nuk do të urdhëroj heqjen e asaj barrikade”, citohet të ketë thënë gjenerali gjerman.
Me tej, Halbauer ka përjashtuar çfarëdo zgjidhje ushtarake për veriun e Kosovës, duke thënë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit tregon se zgjidhja politike është e mundshme.
“Dialogu është duke ecur përpara dhe kjo çështje është për të mirë. Kjo jep shpresë për sukses përfundimtar në procesin paqësor në Kosovë”, ka thënë gjenerali Halbauer, për gazetën serbe “Politika”, duke potencuar se “misioni i KFOR-it mbetet neutral ndaj statusit”.
Top Channel