Tunizi, tension në funeralin e politikanit

27/07/2013 18:55

Në kryeqytetin e Tunizisë, Tuniz, është mbajtur ceremonia mortore për liderin e opozitës, Mohamed Brahimi, që u vra të enjten nga persona të armatosur.

Vdekja e tij ka shkaktuar protesta masive në vend. Një prej manifestuesve vdiq në përleshjet e zhvilluara gjatë natës në qytetin jugor të Gafsas.

Ministri i Brendshëm deklaroi se zoti Brahimi, 58 vjeç, u vra me të njëjtën armë që ishte përdorur në vrasjen e bashkëpunëtorit të tij të krahut të majtë, Chokri Belaid, në shkurt të këtij viti.

Një salafist është mes të dyshuarve kryesorë të përfshirë në vrasje, kanë deklaruar autoritetet. Persona të armatosur që po udhëtonin me një motor qëlluan zotin Brahimi, që drejtoi Lëvizjen Nacionaliste të Partisë së Popullit, teksa udhëtonte me makinën e tij.

Ditën e shtunë, mijëra njerëz mbushën rrugët e Tunizit teksa arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar kaloi i shoqëruar me skortë ushtarake. Brahimi u varros në të njëjtën varrezë ku u vendos më herët gjatë vitit udhëheqësi tjetër i opozitës, Chokri Belaid.

Pas ceremonisë, protesta anti dhe pro-qeveritare u mbajtën jashtë selisë së Parlamentit, në qendër të kryeqytetit. Raportohet se policia përdori gaz lotësjellës për të shpërndarë manifestuesit.

Mbështetësit e zotit Brahimi e kanë kthyer zinë në irritim ndaj partisë qeverisëse pro-islamike Enahda, me të afërmit e tij që e akuzojnë për bashkëpunim në vrasje.

Nga ana e saj, qeveria i ka hedhur poshtë akuzat, duke nxjerrë emrin e një salafisti radikal, Boubaker Hakim, si të dyshuarin kryesor.

Top Channel