Spanjë, arrestohet makinisti, gjendet “kutia e zezë”

27/07/2013 01:40

Një makinist veteran trenash, me një oreks të madh për shpejtësi, është arrestuar në dhomën e tij të spitalit, në veri-perëndim të Spanjës, ku hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse sjellja e pamatur shkaktoi daljen e trenit nga shinat, një tragjedi që la me dhjetra të vdekur e të plagosur, bënë të ditur autoritetet spanjolle të premten.

Makinisti, Francisco Jose Garzon Amo, 52 vjeç, është në fokusin e hetimit kriminal, sipas Jaime Iglesias, komandat i policisë kombëtare nga Galicia, i cili tha gjatë një konference për shtyp se hetuesit janë në pritje të përmirësimit të kushteve të tij shëndetësore, për të nisur marrjen në pyetje të tij në lidhje me përplasjen e së mërkurës.

Një hetim gjyqësor do të kryhet gjithashtu në spital, ku ai është shtruar për mjekim, shtoi komandanti i policisë.

Fotografitë e makinistit, fytyra e tij e gjakosur, u shfaqën dukshëm në gazetat spanjolle, së bashku me pamjet e kapura nga faqja e tij në Facebook, tashmë e fshirë, në të cilën ai ishte mburrur vitin e kaluar për kapjen e shpejtësisë prej 200 km/orë.

Por, Julio Gomez-Pomar, president i Renfe, rrjetit spanjoll hekurudhor, e përshkroi makinistin gjatë së premtes si një punonjës sezonal, i cili kishte kaluar në po të njëjtin vend, ku ndodhi aksidenti, rreth 60 herë të tjera pa shkaktuar incidente, si dhe kishte njohuri të plota mbi linjën hekurudhore.

Kutitë e zeza, të rikuperuara nga treni i shkatërruar, “Alvia 151”, mund të ndihmojnë në shpjegimin se pse treni doli nga shinat në kthesë, teksa po i drejtohej Santiago de Compostela me dyfishin e shpejtësisë së lejuar.

Tashmë, me identifikimet e reja të trupave, numri i të vdekurve është konfirmuar në 78 të tillë. Shumica e tyre ishin nga Spanja, por kishte edhe pasagjerë nga Algjeria, Republika Domenikane, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

Në heshtje e në lotë, të afërmit e viktimave u mblodhën në vendngjarje, ku vendosën disa sende (predha me guackë?), simbole të epokës antike të apostullit St. James. Predhat janë simbol nderi për pelegrinët, që kompletonin një udhëtim të gjatë në rrugën antike të Santiago de Compostela-s.

Top Channel