SHBA-Rusisë: Snowden s’dënohet me vdekje

27/07/2013 00:30

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder i ka thënë një zyrtari rus se Shtetet e Bashkuara, nuk do të kërkojnë dënimin me vdekje për Edward Snowden, ish-kontratorin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, i cili publikoi dokumente të klasifikuara për reporterët, në lidhje me përgjimet e SHBA-ve, e që tashmë fshihet në një aeroport të Moskës.

Në një përpjekje për të shmangur dhënien e azilit për Snowden nga Rusia, Holder i shkroi një letër ministrit rus të Drejtësisë, duke i thënë se ndonëse Snowden është akuzuar për vjedhje dhe spiunazh, ai nuk do të përballet me dënimin me vdekje, nëse rikthehet në SHBA.

“Akuzat, me të cilat përballet ai, nuk e mbartin këtë mundësi dhe SHBA nuk do të kërkojë dënimin me vdekje, edhe nëse Snowden do të akuzohej me krime shtesë legjitime për dënimin me vdekje”, shkruante Holder për ministrin e Drejtësisë, Alexander Vladimirovich Konovalov.

Letra është dërguar ditën e martë dhe është publikuar nga Departamendi i Drejtësisë të premten.

Holder i ka thënë gjithashtu Konovalov se Snowden nuk do të torturohet nëse rikthehet në SHBA, por do të trajtohet në një gjykatë civile e jo në atë ushtarake, me të gjithë mbrojtjen e ligjit amerikan. Snowden është ankuar në raportimet e lajmeve se do të torturohet ose do të përballet me dënimin kapital, nëse rikthehet në Amerikë.

“Tortura është e jashtëligjshme në SHBA”, shkruan Holder. “Nëse rikthehet në SHBA, Snowden menjëherë do të dërgohet përpara gjykatës civile, bazuar mbi Artikullin III të Kushtetutës së SHBA-ve dhe do të supervizohet nga Distrikti i Gjykatave të SHBA-ve. Snowden-it do t’i caktohet një avokat”.

Publikimi i letrës së Holder vjen në ditën, kur zyrtarët rusë shfaqen edhe jo entuziastë, që mbajnë Snowden-in në tokën e tyre, por edhe pa dëshirën për ta ekstraduar atë në SHBA.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia “nuk ka dorëzuar kurrë dikë dhe nuk do ta bëjë kurrë diçka të tillë në të ardhmen”, siç raporton agjencia e lajmeve Interfax.

Gjithashtu, Peskov tha se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk dëshiron që drama e Snowden të përkeqësojë marrëdhëniet SHBA-Rusi. Putin “ka shfaqur vendosmëri të fortë për të parandaluar këtë gjë”, tha Peskov.

Top Channel