Ivica Daçiç dhe partnerët e tij në koalicionin qeverisës në Serbi paralajmëruan riformatimin e qeverisë, me argumentimin për t’i dhënë qeverisjes dhe kabinetit ekzekutiv një shtysë tjetër drejt sfidave që ka vendi për integrimin europian.

Dhe menjëherë kanë mbërritur dorëheqjet e para. Ministri i Kulturës, ajo e sportit, ministri i Bujqësisë dhe Ministri i Mbrojtjes njoftuan largimin e tyre nga postet. Katër postet mbaheshin nga partia SNS.

Zv.kryeministri Aleksandar Vuçiç deklaroi për mediat në Beograd dorëheqjen nga posti i Ministrit të Mbrojtjes. Ai tha se tani e tutje do të mbajë vetëm postin e zv.kryeministrit. Në deklaratë Vuçiç theksoi se pret që të njëjtën gjë për riformatimin e qeverisë të ndjekin edhe partnerët qeverisës.

Ai tha se riformatimi i qeverisë është domosdoshmëri që lind nga nevoja për zhvillimin e vendit dhe një qasje tjetër, me agresive ndaj sfidave që ka Serbia drejt integrimit europian.

Serbia së fundmi mori dritën jeshile për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e plotë në BE. Bisedimet pritet të nisin në fillim të vitit tjetër.

Top Channel