Tunizi, Moon dënon vrasjen e politikanit

26/07/2013 00:00

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara ka dënuar vrasjen e liderit të opozitës laike në Tunizi, Mohamed Brahmi.

Me anë të një komunikate, Ban ka bërë apel për qetësi dhe nënvizon se aktet e dhunës politike “dobësojnë institucionet shtetërore legjitime, të cilat janë baza e procesit demokratik”.

“Ky akt nuk duhet të hedhë poshtë progresin që Tunizia ka bërë në procesin e tranzicionit demokratik”, theksoi Ban Ki Moon.

Mohamed Brahmi u ekzekutua me një plumb në kokë teksa po dilte nga banesa e tij në kryeqytetin Tuniz. Udhëheqësi i Partisë Lëvizja Popullore u qëllua nga një person me motor, në sy të bashkëshortes dhe vajzës së tij.

Mediat lokale thanë se autorët kanë qëlluar 11 herë ndaj politikanit. Policia vendase ka nisur hetimet për zbardhjen e saj, ndërkohë që nuk dihet autorësia e sulmit. Shumë e lidhin për shkak të aktivitetit të tij politik.

Brahmi është politikani i dytë i lartë që ekzekutohet në Tunizi brenda këtij viti. Në shkurt, në një sulm të ngjashëm u vra Chokri Belaid, udhëheqës i lartë i opozitës laike në vend.

Top Channel