Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i konsideron të përmbyllura çështjet e marrëveshjeve me Beogradin sa i përket energjitikës dhe telekomunikacionit.

Këto komente kryeministri kosovar i bëri gjatë mbledhjes së qeverisë, ku raportoi lidhur me takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçic, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton.

“Sa i përket energjisë dhe telekomunikacionit, për Kosovën kjo çështje është përmbyllur, e po ashtu edhe për Bashkimin Evropian dhe baroneshën Ashton. Presim deri më 8 gusht që këto marrëveshje t’i pranojë edhe Serbia”, ka deklaruar Thaçi.

Më tej kryeministri ka vlerësuar me nota pozitive këtë fazë të zbatimit të marrëveshjes në terren. Ndërkaq, ai sërish ka ftuar serbët e komunave veriore që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale të 3 nëntorit.

“Është me rëndësi që në shumë segmente është duke vazhduar implementimi i marrëveshjes së arritur më 19 prill, ndërsa në takimin e fundit është bërë progres në veçanti sa i përket zgjedhjeve lokale më 3 nëntor. Kam besim të plotë se ky proces do të jetë i suksesshëm dhe zgjedhjet lokale do të jenë me një përfshirje të gjitha komuniteteve në zgjedhjet që do të organizohen në gjithë territorin, në të njëjtën ditë, me 3 nëntor 2013”, ka thënë Thaçi.

Teksa ka nënvizuar se KQZ është duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ai ka theksuar se është arritur progres edhe sa i përket mbylljes së të gjitha stacioneve policore të strukturave paralele në veri.

Sipas tij, tashmë është mundësia e integrimit të qytetarëve serbë veçmas në strukturat e policisë, të cilët do të pranonin integritetin, Kushtetutën, ligjet dhe dokumentet e Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhjeje qeveria mori vendim për ndarjen e rreth 70 mijë eurove për pagesën e qerave të qytetarëve shqiptarë të veriut, të cilët jetojnë në pjesën jugore. Ndërkohë, kabineti tashmë ka themeluar Këshillin ndërministror për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike etj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA