Pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në kufirin shqiptaro-grek, ku tre shqiptarë të arratisur nga burgu i Trikallas mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, zëdhënësi i Policisë Greke Christos Parthenis, në një intervistë për Top-Channel tregon për marrëdhëniet e bashkëpunimit me policinë shqiptare gjatë këtij operacioni, si dhe hedh poshtë zërat se të arratisurit kanë qenë në Shqipëri.
I pyetur për sigurinë e kufirit mes dy shteteve, ai ka deklaruar: “Ka një bashkëpunim shumë të mirë midis autoriteteve policore të Greqisë dhe të Shqipërisë, si në nivel qëndror ashtu dhe në nivel ndërkufitar, fakt ky që na lejon të besojmë se niveli i sigurise në kufi është i nivelit të kënaqshëm. Ky bashkëpunim është produkt i vullnetit politik të dy vendeve për të goditur nga rrënjët krimin. Natyrisht, kjo nuk do të thotëse në kufi nuk kemi dhe raste kriminale, por ne, në kuadrin e bashkëpunimit tonë, mundohemi që t’i përballojmë në mënyre efektive”, ka thënë Parthenis.
I pyetur lidhur me pretendimet e familjarëve të tre personave të vrarë, se ata kanë qenë në Shqipëri, zëdhënësi i Policisë Greke, i hedh poshtë këto pretendime.
“Në kuadrin e hetimeve dhe kërkimeve që zhvillohen, deri në këtë moment nuk ka të dhëna apo tregues që të vërtetojnë këto pretendime”, ka thënë Parthenis.
Duke u ndalur tek bashkëpunimi mes policive të dy vendeve, Parthenis e konsideron atë si shumë të frytshëm, edhe në këtë rast ku policia shqiptare i ka ndihmuar me informacione të vlefshme.
“Edhe për rastin konkret ekziston një bashkëpunim i mirë dhe i sinqertë me autoritetet policore shqiptare, kryesisht në nivel mbulimi me informacione, në kuadrin e një besimi reciprok”, ka nënvizuar zëdhënësi.
E në fund, i pyetur lidhur me operacionin për arrestinin e Ilir Kupës, një prej të arratisurve, Christos Parthenis ka sqaruar edhe detajet e vrasjes së tre shqiptarëve, ku sipas tij, atyre u është bërë thirrje për t’u dorëzuar por janë kundërpërgjigjur me zjarr.
“Në këto momente po zhvillohet në Greqi një operacion policor, në rajonet afër kufirit me Shqipërinë, për të identifikuar dhe arrestuar një të arratisur të burgut të Trikallës. Me këtë rast, më lejoni që të theksoj se Policia Greke funksionon gjithmonë në bazë të parimit të ligjshmërisë dhe sipas kuadrit institucional në fuqi, ashtu siç përcaktohet nga Kushtetuta dhe ligjet e Greqisë. E theksova këtë, për të përgenjeshtruar në mënyrë kategorike skenarë dhe fjalë keqdashëse që qarkullojnë apo dhe që nxiten prej dikujt, qëllimi i të cilave është të minojnë marrëdhëniet e bashkëpunimit policor midis dy vendeve. Deklaroj se, edhe në dy rastet e mëparshme të plagosjes vdekjeprurëse të Shqiptarëve të armatosur, të arratisur nga burgu, u ishte bërë paraprakisht thirrje prej policëve për t’ju nënshtruar kontrollit. Siç edhe e dini, ata reaguan duke shtënë me armë mbi policinë, madje në rastin e dytë duke plagosur një polic. Për më tepër, lloji dhe kalibri i armëve që mbanin në të dy rastet: kallashnikovë, pistoleta, bomba, janë tregues të rrezishmërisë së tyre të lartë, si për policët ashtu dhe për qytetarët. Dy njerëz kanë humbur jetën në këtë çështje: një vajzë e re 26 vjeç dhe një polic, baba i 3 fëmijëve”, ka saktësuar Parthenis.
Operacioni për arrestimin e Ilir Kupës, sipas policisë greke, është shtrirë në zonat kufitare ne Shqipërinë, ku dyshohet se ai mund të jetë fshehur pasi u arratis nga burgu i Trikallas më 23 mars të këtij viti.
Top Channel