Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e Lëvizjes Socialiste për Integrim, për rinumërimin e 15 kutive të KZAZ 9, në Qarkun e Kukësit, ku kjo forcë politike pretendon se i është vjedhur një mandat.
Pas disa orësh të tërhequr në dhomën e këshillimit, anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, pasi kanë administruar materialet e paraqitura, kanë konstatuar parregullsi në këto qendra votimi dhe kanë vendosur rinumërimin.
Pas vendimit, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka deklaruar se Kolegji duhet të mbante të njëjtin qëndrim si me rastin e Fierit, por ai shtoi se kjo është një përpjekje bllokuese e PS dhe LSI.
Kolegji Zgjedhor urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që brenda orës 11:00 të datës 27 korrik, të sjellë pranë ambienteve të Gjykatës së Apelit kutitë e 15 qendrave të votimit, pasi rinumërimi do të kryhet në ambientet e kësaj Gjykate.
Partia e Ilir Metës deklaronte në kërkesën ankimore se koalicionit të majtë në këto kuti i janë hequr nga rezultati përfundimtar mbi 150 vota, që nëse rezulton e vërtetë mund të pasojë me kalimin e mandatit të katërt të Kukësit tek koalicioni i majtë.
Top Channel