Egjipt, kërcënimi i ushtrisë

26/07/2013 16:20

Kjo e premte është ditë tubimesh në Egjipt dhe ushtria vendase ka paralajmëruar se do të përdorë forcën ndaj çdo grupi që ushtron dhunë.

Na jepni mandatin t’i bëjmë ballë ashtu siç duhet dhunës dhe terrorizmit, ishte deklarata e shefit të saj, gjeneral Abdel Fattah al Sisi.

Në protestë do të dalin mbështetësit e presidentit të përmbysur Mohamed Morsi. Ish-kryetari i shtetit vazhdon të mbahet në arrest dhe prokurorët kanë sqaruar më në fund arsyet e ndalimit të tij:

Mursi akuzohet për lidhje me grupin militant palestinez Hamas dhe marrëveshje të fshehta me lëvizjen islamike për të mësyrë komisariatet e policisë dhe burgjet gjatë rebelimit të 2011-s, pakte që rezultuan sipas tyre me djegien e një burgu, lirimin e të burgosurve dhe vrasjen e paramenduar të gardianëve e ushtarëve.

Vllazëria Myslimane sqaroi se është ndihmuar nga banorët e zonës për lirimin e mbështetësve të saj nga burgu në fjalë, e jo nga militantët e huaj.

Presidenti i parë i Egjiptit i zgjedhur në mënyrë demokratike u rrëzua nga pushteti pas protestave masive kundër tij pikërisht në përvjetorin e parë të marrjes se postit.

Që prej përmbysjes së Mursit, me dhjetëra vetë janë vrarë në përleshjet e ashpra mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të liderit islamik. Militantët kanë ndërmarrë edhe sulme me pasojë vdekjen e disa personave në gadishullin e Sinait.

Gjenerali Al Sisi sqaroi se paralajmërimet e tij nuk janë  thirrje për trazira dhe se ushtria nuk ka ndërmend të shënjestrojë ndonjë grup të caktuar, por shtoi nga ana tjetër se reagimi ndaj dhunës dhe terrorizmit do të jetë përdorimi i forcës.

Top Channel