Presidenca e Kosovës ka refuzuar të flasë për vendimin që presidentja Atifete Jahjaga do të marrë lidhur me ligjin për amnisti.
Zëdhënësi Arbër Vllahiu rekomandoi që të lexohet reagimi i Gjykatës
Kushtetuese për këtë, kur u pyet të premten lidhur me këtë çështje.

Sot është dita e fundit kur presidentja duhet të vendosë për shpalljen apo jo të ligjit, pas dorëzimit të tij nga zyra ligjore e Kuvendit. Proçedura është bllokuar nga Gjykata Kushtetuese pasi deputetët e lëvizjes Vetëvendosje kërkuan vlerësimin e kushtetueshmërisë së ligjit.

“Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji apo një vendim i tillë mund t’i dërgohet presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kontestuar”, thuhet në reagimin e Kushteteuses.

Kjo gjykatë dëshiron të tërheqë vëmendjen tek fakti se çdo përpjekje për ta shpallur ligjin apo për ta zbatuar atë është jokushtetuese dhe një akt i tillë është i pavlefshëm. Një ligj që nuk ka hyrë në fuqi, rrjedhimisht nuk ka pasoja juridike.  

Përveç lëvizjes Vetëvendosje, e cila e dërgoi këtë ligj në Kushtetuese, ligji për amnisti është kundërshtuar edhe nga shoqëria civile. Disa OJQ kosovare dorëzuan një peticion me 12 mijë nënshkrimet e qytetarëve në zyrën e presidentes dhe kërkuan nga zonja Jahjaga që të mos e shpallë ligjin.

Top Channel